Arbëri

Shoqëria civile boshnjake kërkon anulimin e mandateve që u fituan me ndihmën e Listës Serbe

Shoqëria civile e komunitetit të Boshnjakëve të Kosovës ka reaguar ndaj zgjedhjeve të14 shkurtit. Përmes një komunikate për media, është thënë se nga këto zgjedhe po bëhet përpjekje që të uzurpohen vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kuvendin e Kosovës.

Shoqëria cilivie boshnjake thotë se injorimi i vullnetit të qytetarëve të komuniteteve jo-shumicë dhe uzurpimi i pushtetit nga shumë komunitete dhe lëvizje politike do të formojë një precedent të rrezikshëm në praktikën demokratike të Kosovës dhe do të jetë tregues i problemeve shumë të mëdha në procesin e konstituimit të pushtetit në Republikën e Kosovës.

Ata tutje kanë kërkuar anulimin e këtyre mandateve, duke shtuar se

“Anëtarët e komuniteteve jo-shumicë gëzojnë të drejta të veçanta të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në përputhje me këtë vendet e garantuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës përcaktohen qartë për përfaqësuesit që e marrin legjitimitetin e tyre nga votat në komunitetin e tyre. Përpjekja për të uzurpuar vendet boshnjake në Kuvendin e Kosovës me vota nga komunitetet e tjera është një veprim flagrant i shkeljes së dispozitave kushtetuese dhe të drejtës së një populli jo-shumicë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre që do të mbrojnë interesat e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, vështrimi primitiv i politikës që po përpiqet të instalohet është i papranueshëm dhe synon të vë nën kontroll komunitetet jo-shumicë në mënyrë që të fitohet pushteti politik brenda Kuvendit dhe të ketë një ndikim më të madh në procesin e konstituimit të pushtetit në Kosovë.

Ata thonë se sipas rezultateve preliminare, partitë politike boshnjake morën 7,000 vota më shumë në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Sipas tyre, një listë që luftoi për një vend të garantuar për boshnjakët mori numrin më të madh të votave në zonat ku nuk ka fare boshnjakë sipas regjistrimit, ose ka shumë pak në krahasim me votat e marra.

“Superioriteti numerik i një komuniteti nuk duhet të përdoret për të shtrembëruar vullnetin elektoral të qytetarëve të një komuniteti. Sulmet e tilla ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve do ta bëjnë procesin zgjedhor të pakuptimtë dhe do të komplikojnë më tej mbijetesën e komuniteteve jo-shumicë në institucionet e Republikës së Kosovës, sepse rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk pasqyrojnë vullnetin zgjedhor të Boshnjakëve dhe të disa komuniteteve tjera. Ne distancohemi dhe nuk do të pranojmë si përfaqësues tanë ata politikanë që u zgjodhën kundër vullnetit të popullit Boshnjak të Kosovës, domethënë u zgjodhën me votat e komuniteteve të tjera”, thuhet tutje në njoftim.

Ata tutje kanë bërë thirrje që të adresohen këto fenomene, të cilat i kanë quajtur antikushtetuese dhe të anulojnë mandatet e paligjshme sepse ato janë në kundërshtim me garancitë e përfshira në Kushtetutën e Kosovës.

Gjithashtu është bërë thirrje që të anulohen edhe mandatet e fituara, pasi theksojnë se ata nuk i përfaqësojnë njerëzit e komunitetit boshnjak.

“Ne u bëjmë thirrje ambasadave të huaja dhe përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë që të bashkohen në zgjidhjen e këtij problemi, sepse askush nuk ka të drejtë të shtrembërojë brutalisht vullnetin elektoral të qytetarëve të komuniteteve jo-shumicë. Ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve politikë të komuniteteve jo-shumicë të luftojnë së bashku dhe në një mënyrë të sinkronizuar kundër uzurpimit të vendeve të garantuara, sepse kjo situatë është e lidhur kauzalisht me udhëheqjen e dobët të politikës në të gjitha nivelet në periudhën e mëparshme”, thuhet tutje në njoftim.

Dy kandidatet për deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje dhe Emilia Rexhepi kanë ngritur shqetësimin se deputetët e minoritetit boshnjak janë përcaktuar me votat serbe dhe me ndikim direkt nga Beogradi.