Afër 300 mijë euro është vlera e tenderit për furnizim me reagensa për D-dimer dhe Gem premier, të shpallura nga QKUK-ja.
Kompania ‘Geis Kosova’ është kompania e vetme e cila ka ofertuar, duke u shpallur kështu fituese e tenderit të QKUK-së të shpallur në tri lote të ndara, dy prej të cilave janë lote për blerjen të reagensëve për analizën D-dimer.
Në dy prej këtyre loteve kjo kompani do ta furnizojë QKUK-në në një periudhë 1-vjeçare me reagensa për D-dimer, me një çmim prej rreth 137 mijë euro.
Në tenderin e shpallur, QKUK-ja ka shkurtuar edhe afatin për dorëzimin e tenderëve në 22 ditë.
Arsye për këtë, sipas drejtuesve të këtij institucioni, janë kërkesat e mëdha të pacientëve për këtë shërbim dhe situatën e krijuar me COVID-19. Ata thonë se kjo i ka shtyrë që procedurat tenderuese të përshpejtohen dhe të kryhen në afat sa më të shkurtër kohor, në mënyrë që qytetarët ta marrin këtë shërbim sa më shpejt.
Por, as QKUK-ja dhe as Transfuzioni i Gjakut, ku momentalisht kryhet kjo analizë, këtë të mërkurë nuk kanë dhënë detaje se cili është furnizimi me reagensa për këtë analizë dhe nëse po vazhdon kryerja e saj në këto institucione shëndetësore.
D-dimer është analizë e gjakut e cila tregon koagulimin e gjakut dhe në shumicën e rasteve kërkohet të kryhet te pacientët e infektuar me koronavirus.
Në disa prej studimeve të kryera deri më tani, te rastet me koronavirus është thënë se ngritja e niveleve të D-dimerit te këta pacientë u bë një parametër i rëndësishëm në përcaktimin e ashpërsisë së infeksionit me virusin.
Kjo analizë është e përfshirë edhe në udhërrëfyesin klinik për menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19, përmes së cilës kërkohet monitorimi i gjendjes së pacientit.