6 perditesime
20:12

Pas pak minutash KQZ-ja del me rezultatet e para

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se pas pak minutash do të publikohen rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura sot.

“Të keni parasysh, këto janë rezultate preliminare”, tha Daka në konferencën për media të mbajtur në orën 20:00.

Sipas të dhënave të deritashme (janë përpunuar 99 për qind e të dhënave), në zgjedhje kanë dalë 46.98 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, që është një rritje prej gati 3 për qind krahasuar me zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2019.

Në disa qendra votimi, sidomos në Prishtinë, është duke u votuar ende, pasi kishte mungesë të fletëvotimeve.

19:41

Shtyhet konferenca e KQZ-së për mbyllje të vendvotimeve

Është shtyrë konferenca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me daljen e qytetarëve në zgjedhje deri në ora 19:00.

Konferenca ishte e paraparë të mbahet në ora 19:30, por është shtyrë për orën 20:00.

19:27

KQZ: Në zgjedhje votuan 46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 19:00 të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar më shumë se 780 mijë qytetarë nga 1.8 milionë sa kishin të drejtë vote.

Pas procesimit të 93 për qind të të dhënave, sipas KQZ-së, në vend kanë votuar 46.73 për qind e qytetarëve.

Sipas uebfaqes së KQZ-së, në Prishtinë deri në orën 19:00 kanë votuar mbi 58 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Nga kjo komunë janë procesuar vetëm 73 për qind e të dhënave.

 

 

16:22

PZAP-ja njofton se ankesat duhet të dërgohen fizikisht dhe jo përmes Facebookut

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar se ankesat e dërguara përmes Facebookit nuk do të konsiderohen si ankesa. Prandaj është bërë thirrje që ato të dorëzohen në mënyrë fizike në selinë e PZAP-it.

“Të nderuar qytetar ju informojmë se ankesat të cilat i keni dërguar përmes facebook-it të PZAP-it nuk do të konsiderohen si ankesa, ashtu që të gjitha këto ankesa dhe prova mund t’i paraqitni në mënyrë fizike në selinë e PZAP-it në Prishtinë, në adresën Migjeni , ndërtesa e Ish-Bankës së Lubjanës kati parë, duke e plotësuar formularin e ankesës (mund ta shkarkoni në faqen zyrtare të PZAP-it ose në letër të thjeshtë) duke përshkruar parregullsinë, duke bashkangjitur provat që provojnë parregullsinë dhe duke nënshkruar formularin e ankesës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, afati i paraqitjes e ankesës është 24 orë nga momenti i vënies në dijeni për shkeljen e pretenduar.

15:11

KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar 32.43 për qind të qytetarëve

KQZ-ja ka njoftuar se deri në orën 15:00 kanë votuar 32.43 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 567 mijë e 934 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019, kishin votuar 29.28% e votuesve apo 554 mijë e 750 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.

Kryetarj e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se raportimet që po bëhen nga mediat në lidhje me problemet e mundshme gjatë procesit të votimit janë duke u trajtuar me seriozitet duke bashkëpunuar me institucionet tjera, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.

Në komunat e veriut është numri më i madh i votuesve, në Zubin Potok mbi 67 për qind, e Zveçan mbi 60 për qind. Në Prishtinë numri i votuesve deri në ora 15:00 është 39.48 për qind.

11:22

KQZ: Deri në ora 11:00 më pak votues se në zgjedhjet e vitit 2019

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka në konferencën e radhës për media të këtij institucioni tha se deri në ora 11:00 kanë votuar 8,30 për qind e votuesve.

“Procesi i votimit është duke vijuar normalisht. Nuk ka raportime për incidente të cilat mund të dëmtojnë integritetin e ditës së zgjedhjeve. Deri në ora 11:00 kanë votuar 8,30 për qind e votuesve apo 145 mijë e 650 votues nga 1 milionë 794 mijë e 862 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019 kishin votuar 9,64 për qind apo 174 mijë e 669 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues sa kanë qenë atë kohë”, ka thënë Daka.

Sipas saj, deri tani procesi zgjedhor ka shkuar në rregull.

08:08

KQZ: Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim pavarësisht motit të ligë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materialet zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim të Kosovës pavarësisht problemeve me komunikacion si pasojë e motit të ligë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media të KQZ-së për sot ka bërë të ditur se vendvotimet janë hapur në orarin e paraparë në tërë territorin e Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve nëpër qendrat e votimit. Janë përcjellë me kohë, sigurisht se ka pasur vonesa për shkak të motit të ligë por ato janë hapur me kohë”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Ai ka bërë të ditur se numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues, ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.

Elezi ka thënë se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për zgjedhje është rreth 30 mijë vëzhgues.