1 perditesime
12:54

Pula: Deri tash nuk ka pasur rast të cënimit të procesit zgjedhor

Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit tha se që nga hapja e vendvotimeve deri tash nuk ka pasur rast që ka cenuar procesin zgjedhor.

“Deri tash prokurorët kujdestarë në 38 komuna që operojnë, nuk kemi pasur ndonjë rast që ka cenuar procesin zgjedhor dhe që do tregonte se kemi ndonjë vepër penale”, tha ajo.

Rënia e numrit të prokurorëve kujdestarë nga zgjedhjet e kaluara, Pula thotë se varet nga rrezikshmëria që mund të jetë rreth procesit.

“Kemi numër të caktuar prokurorësh që në bazë të vendvotimeve dhe rrezikshmërive që ekzistojnë angazhohen edhe prokurorë. Numrat variojnë deri në 100. Nga viti në vit numri i rasteve i keqpërdorimit të drejtës së votimit është në rënie e sipër”, tha ajo në KTV.

Pula ka bërë apel tek qytetarët që të mos i fotografojnë fletëvotimet e tyre, teksa ka sqaruar se në vete kjo gjë nuk përbën vepër penale por arsyeja që mund të fshihet pas fotografimit të fletëvotimit mund të paraqitet si vepër penale.

Pula përmendi veprimet që në zgjedhjet e kaluara kanë qenë gjatë procesit të zgjedhjeve e që mund të përsëriten edhe tash.

“Shkojnë tek cenimi i kandidatit, cenimi i fshehtësisë së votimit, kemi pasë raste të asgjësimit të fletëvotimeve”, përfundoi ajo.

08:01

KGJK-ja ka angazhuar 30 gjyqtarë për ditën e zgjedhjeve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka angazhuar 30 gjyqtarë kujdestarë në nivel të vendit në ditën e sotme për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.

“Në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë caktuar 8 gjyqtarë, 1 vjen nga departamenti special, 2 nga departamenti i krimeve të rënda dhe 5 të tjerë në departamentin e përgjithshëm. Në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë caktuar 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe ajo në veri 1 gjyqtarë në departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm. Edhe Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar 5 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 4 në departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar 2 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 1 në departamentin e përgjithshëm, si dhe Gjykata Themelore në Prizren 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm”, ka thënë Fatime Dërmaku nga KGJK-ja ditë më parë në konferencë për media.

Ndërkohë nga Prokuroria e Shtetit më herët është njoftuar se për ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 88 prokurorë e 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial.

"Prokurori i Shtetit njofton opinionin se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili është duke u mbajtur sot për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, ju njoftojmë se që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme, janë të angazhuar 88 prokurorë dhe staf mbështetës, të cilët janë duke përcjellë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit. Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës", thuhet nga Prokurori i Shtetit.