Arbëri

Në Skenderaj refuzohet kërkesa për kamera nëpër klasa gjatë votimit

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar të shtunën se është refuzuar kërkesa e tij që nëpër klasat e shkollave në këtë komunë të jenë funksionale kamerat në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Në një postim në Facebook, Jashari ka thënë se këtë kërkesë e kishte bërë me qëllim “për të pasur një proces të lirë dhe demokratik” si dhe “për të ruajtur votën e shenjtë të qytetarit dhe kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve”.

Jashari e ka quajtur të papranueshme dhe kundër demokracisë vendimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve për të mos lejuar kamera në vendvotime.

“Sot, gjatë ditës, jam informuar nga drejtorët e shkollave që ata kanë pranuar telefonata (siç kanë thënë nga KKZ) nga persona të cilët kanë kërkuar që nesër të ndalen kamerat në vendvotime. Për me tepër, Komisioni Qendror Zgjedhor, përmes zyrtarit, Nexhmedin Hyseni ka dërguar në drejtim të KKZ- Skenderaj një e-mail përmes së cilës ka urdhëruar KKZ-në që të ndalen kamerat në vendvotime, me pretekstin që ‘ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve’. Një shkresë e tillë e dërguar një ditë para zgjedhjeve, vetëm për komunën tonë, është e papranueshme dhe kundër demokracisë që synojmë të ndërtojmë”, ka thënë ai. “Nëse prania e kamerave në vendvotime (klasa) gjatë votimit është shkelje atëherë përse këto kamera janë vendosur dhe funksionojnë në shkollat e Kosovës dhe janë funksionale gjatë procesit mësimor. Prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit dhe kështu nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse në kabinën e votimit aty ku voton qytetari nuk ka kamera dhe kështu votimi është i fshehur”.

Jashari ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor të marrë hapa ndaj rastit.

Në një reagim për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se në ditën e zgjedhjeve të gjitha shkollat që shndërrohen në qendra të votimit janë kompetencë e KQZ-së dhe se nuk menaxhohen e as s’mbikëqyren nga komunat apo kryetarët e tyre.

“Të gjitha rregullat për të gjitha Qendrat e Votimit gjithandej Republikës së Kosovës janë unfiorme dhe vlejnë njësoj për të gjitha, në të gjitha komunat. Këto rregulla kanë qenë të tilla edhe në proceset e kaluara zgjedhore dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim”, thuhet në njoftim.

KOHA ka parë komunikimin mes anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Ramës dhe Nexhmedin Hysenit, nga Sekretariati i KQZ-së, ku kanë kërkuar sqarime lidhur me kërkesën e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit, për lejimin e kamerave të sigurisë brenda qendrave të vendvotimit.

Në komunikimin mes tyre, anëtari i VV-së, Alim Rama, i ka kërkuar sqarime Hysenit për vendimin që ndalon një gjë të tillë, duke i thënë se në këtë rast, nuk është fjala për kamera që xhirojnë procesin e votimit, por vetëm korridoret dhe klasat (të vendosura mbi dyer).

Hyseni ka thënë se në asnjë vendvotim nuk lejohet fotografimi apo regjistrimi, përjashtuar mediat, që lejohen të marrin pamje. Në reagimin e Hysenit thuhet se kushdo që tenton të bëjë një të tillë (të lejojë vendosjen e kamerave), do përjashtohet nga Qendra e Votimit dhe do procedohet tutje nga organet përkatëse.

“Nëse një gjë e tillë e ndodh nëpër Qendrat e Votimit, ku të gjithë Menaxherët e Qendrave të Votimit, veprojnë në kundërshtim me rregullat zgjedhore dhe kryejnë elemente të veprës penale, të parapara me kodin e procedurës penale, sa i përket procesit zgjedhor. Ne si institucione së bashku me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit do të veprojmë menjëherë dhe të gjithë menaxherët do të përjashtohen dhe të procedohen tutje në organet përkatëse, Polici dhe Prokurori”, thuhet në vërejtjen e dërguar nga Sekretariati i KQZ-së.

Në anën tjetër, anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se një urdhëresë e tillë nuk ka bazë ligjore dhe dokumentet në fjalë nuk kanë mbështetje në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Kjo shkresë elektronike, ky ‘dokument’ si i tillë, në përmbajtje dhe formë, është i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm. Nxjerrja, dërgimi dhe kërcënimi përmes ‘dokumenteve’ të tilla apo të ngjashme, të panënshkruara, të paprotokoluara, dhe të paautorizuara, në emër të KQZ-së, që nuk plotësojnë asnjë nga kriteret dhe kërkesat ligjore dhe administrative të një akti administrativ, është veprim i kundërligjshëm dhe vepër penale, që duhet të ndiqet nga organet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Kurteshit, dërguar Sekretariatit të KQZ-së.