Arbëri

Hoti: Oponentët tanë ishin kundër Planit të Ahtisarit që solli pavarësinë e Kosovës

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë një tubimi elektoral në Viti sot, tha se oponentët tanë politikë, asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e pavarësisë së Kosovës, madje, në shkurt të vitit 2008 ata nxorën protestuesit në rrugë, ku u vranë qytetarë të pafajshëm, pasi që nuk besonin në Planin e Ahtisarit që solli pavarësinë e Kosovës.

“Ata edhe sot janë kundër aleancave tone me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ata ishin kundër Marrëveshjes së Rambujesë që solli lirinë e Kosovës, ata ishin kundër Planit Ahtisari që solli pavarësinë e Kosovës, ndërsa vitin e kaluar ishin kundër Marrëveshjes së Uashingtonit që solli 1 miliard investime në Kosovë, njohjen nga Izraeli, heqjen e sanksioneve amerikane dhe përfshirjen e FSK-së në misione paqësore”, tha Hoti. “Lidhja Demokratike, për 30 vite, ka qenë në ballë të proceseve të vështira të lirisë, shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Në gjithë historinë tonë prej tri dekadash, nuk jemi shmangur asnjëherë nga përgjegjësitë shtetërore. Gjithmonë kemi mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Këtë kulturë politike e kemi të trashëguar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Rugova”.

Ai shtoi se kështu vepruam edhe në pranverën e vitit të kaluar, kur e ndaluam një qeverisje që nisi të dëmtonte shtetin, dhe morëm përgjegjësinë për të qeverisur në momentet më të vështira në 20 vitet e fundit, pasi që ne ishim të vendosur që të mos lejojmë cenimin e miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti ka shprehur bindjen në fitore. 

“Kudo që po shkojmë në komuna, Zoti verë e ka bërë gjithkah, edhe sot është ditë e mrekullueshme këtu në Viti. Edhe të hapet rruga, të çelen dyert kur ke miq të mirë. Unë jam i bindur që të dielën do të festojmë me fitore, sepse kudo që shkojmë, nëpër degë tona, ku do që bisedojmë qoftë me biznese, bujq, me arsimtarë, me mjekë, me bashkatdhetarë tonë nga mërgata, jam i bindur që shumica e qytetarëve janë njerëz që e duan demokracinë, jo njerëz që duan të kthejnë vendin prapa në autokraci”, ka thënë Hoti.