Arbëri

Seanca ndaj Thaçit e të tjerëve shtyhet për 16 shkurt

Gjykata Speciale ka njoftuar të mërkurën se seanca e ardhshme ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, e paraparë të mbahej të enjten, do të shtyhet për pesë ditë.

Sipas njoftimit të publikuar, seanca e ardhshme do të mbahet më 16 shkurt me fillim prej orës 11:00.

Specialja s’ka dhënë detaje për vendimin e shtyrjes, ndërsa Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi ka thënë se Specialja në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve po bën kalkulime politike.

“Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale njëditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë. Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar”, ka shkuar ai në Facebook.

Nga fillimi i nëntorit, katër ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim në Hagë. Ata po akuzohen për krime lufte.