Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që kërkoi njohjen e Kosovës nga presidenti serb, Alekandar Vuçiq, vulosi edhe një herë miqësinë me SHBA-në.
Ky veprim i presidentit amerikan u përshëndet nga kryeministri në detyrë, Hoti, në tubimin e mbajtur në Vushtrri gjatë ditës së sotme.
“Sot ishte një letër e presidentit të SHBA-së që e vulosi miqësinë tonë. Besoj që jemi te bekuar me këto miqësi që kemi si qytetarë të Kosovës, është kohë fushate dhe ne nuk i promovojmë sa duhet punët tona dhe kjo nuk dua të përdoret në kohë fushate. Jemi përballë me sanksione ekonomike, politike, me paralajmërimin e tërheqjes së trupave amerikane por e kemi përmbyllë vitin me vendimin që e bën ushtrinë tonë pjesëmarrëse në misione paqeruajtëse bashkë me amerikanët”, tha Hoti.
Ai shpalosi disa nga arsyet pse duhet votuar LDK-ja më 14 shkurt.
“Jam i sigurt me ekipin që kemi ndërtuar dhe kandidatët në listën tonë ofrojmë perspektivë në këtë vend dhe kemi mundësuar kalimin në një nivel tjetër të shtetit të Kosovës. Kam shpresë qe për disa muaj do ta mbyllim kapitullin e shtetndërtimit të Kosovës dhe të vazhdojmë rrugëtimin euroatlantik. Programi ynë do të sjellë zhvillim ekonomik, punësim dhe normalitet në qeverisje. Për një kohë të shkurtër në Vushtrri janë bërë 200 milionë investime. Kemi marrë aksionin më të madh në 10 vitet e fundit në Karaçevë, i cili ka qenë i planifikuar edhe që qeverinë e kaluar por nuk është lejuar. Do të mbështesim sektorin privat, do ta mbështesim sektorin publik në mënyrë që të sillen investime”, shtoi Hoti.
Hoti nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarët e tij nga Vetëvendosja, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
“Nuk shkojmë në veri për të rrahur gjoks, por që të gjitha komunat e Kosovës të jenë të barabarta në zhvillimet ekonomike dhe politike”, vazhdoi Hoti.
LEXO EDHE: Kurti e Osmani priten me fyerje nga serbët në veri
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ftoi elektoratin në Vushtrri që më 14 shkurt ta votojë LDK-në, pavarësisht pakënaqësive të vogla që mund t’i kenë ata.
“Vetëm qeverisja jonë arrin të punojë në interes të qytetarëve, prandaj ju ftoj që më14 shkurt, pavarësisht pakënaqësive të vogla që mund t’i kemi, ju ftoj të qëndrojmë në frymën e Rugovës dhe LDK-së. Në vetëm tri vjet qeverisje ne arritëm të hapim rrugë për 150 milionë euro investime private, e ata që ishin 10 vjet në pushtet nuk arritën të sjellin asnjë investitor. 35 për qind e bizneseve në Vushtrri janë mbyllur, mbi 60 për qind e familjeve kanë deklaruar më pak të hyra në kohën e pandemisë. Do të bëjmë zbritjen e tatimit për qytetarët, ndërrimin e logjikës së asfaltit”, tha Tahiri.
{gallery}