Për ditën e katërt të fushatës, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur jugun e Kosovës. Atje, Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin u kanë premtuar qytetarëve qeverisje e mirëqenie më të mirë për ta
Dragash, 6 shkurt – Rritje të pagës minimale në 250 euro, shtesa për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare, pagë minimale deri në gjashtë muaj për gratë e papuna e për lehonat, si dhe katër mijë banesa për të rinjtë, janë premtuar të shtunën nga kandidati i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë tubimit në Komunën e Dragashit.
Sipas programit të Vetëvendosjes, fëmijëve që nga lindja e deri në 2 vjet është paraparë t’u jepen shtesa nga 20 euro në muaj, ndërsa prej dy deri në 16 vjet nga 10 euro. Kjo, sipas kreut të Vetëvendosjes, do ta luftojë varfërinë.
"Nuk ka dhunë më të tmerrshme sesa varfëria te fëmijët. Me qeverisjen tonë, edhe nuk do të ketë fëmijë të varfër, e edhe të gjithë ata që jetojnë me më pak se një euro në ditë e që janë 100 mijë qytetarë , do t'i nxjerrim përgjithmonë nga varfëria ekstreme”, ka theksuar Kurti në ditën e katërt të fushatës zgjedhore.
Në këtë tubim, para një numri të madh njerëzish, para të cilëve është shprehur i bindur në fitore, Kurti u ka kërkuar të dalin masivisht në zgjedhje, që jo vetëm t’ia sigurojnë fitoren, por edhe shumicën parlamentare. Në kuadër të zotimeve që ka dhënë në Dragash, kreu i Vetëvendosjes, mes të tjerash, ka premtuar ndihmë edhe për fermerët dhe blegtorët.
“Atyre do t'ua garantojmë çmimin minimal për produktet e tyre bujqësore e blegtorale, për drithërat, pemët, perimet, qumështin, çmim minimal, i cili do të ketë treg vendor ose do të bëhet rezervë shtetërore. Edhe vërshimet, edhe pandemia kanë treguar që Kosova ka nevojë për rezerva. Më 14 shkurt marrin fund ata që i kanë plaçkitur rezervat shtetërore, por e fitojnë të drejtën qeveritarët e mirë”, ka thënë Kurti.
Vjosa Osmani, kandidate e kësaj partie për presidente, ndërkaq ka qenë e fokusuar te votat.
“Mos e lejoni më kurrë që vota juaj, besimi juaj, taksat tuaja, por mbi të gjitha e ardhmja juaj dhe e brezave që vijnë të tjetërsohet, të shkelet e të shkatërrohet nga ata që e shkelën dhe e shkatërruan qe dy dekada”, ka thënë ajo.
Kurti e Osmani të shtunën fushatë kanë bërë edhe në fshatin Zhur të Prizrenit. Si edhe në Dragash, janë pritur nga një numër i madh i qytetarëve që nuk i respektonin masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Para tyre, kandidatja për presidente ka thënë se do t'u qëndrojnë besnikë votuesve dhe premtimeve që u kanë dhënë atyre. Ndërsa Kurti, derisa ka deklaruar se në mandatin e tij si kryeministër do të fokusohet në drejtësi e punësim, ka përmendur edhe përpjekjet që do t’i bëjnë për ta mbajtur brenda rininë e Kosovës.
"Drejtësi dhe punësim sidomos për të rinjtë duke ofruar lidhjen e ekonomisë me arsimin profesional, tregun e punës me shkollat e mesme profesionale, sundim të ligjit dhe parashikueshmëri. Ne nuk duam më që rinia të ikë nga vendi ynë, por të kthehen në vendlindje edhe ata që kanë shkuar, qoftë përmes investimeve ose përmes punës këtu në vendlindje", ka thënë ai.