Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Vetëvendosje prioritizon punësimin dhe drejtësinë për katër vjetët e ardhshëm

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka shpalosur prioritetet e tij për rininë. Në tubimet që mbajti bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, Kurti ka thënë se në 4 vjetët e ardhshëm drejtësia dhe punësimi do të jenë elementet kryesore të qeverisjes. Të gjitha tubimet, edhe në ditën e tretë të fushatës, Vetëvendosje i ka zhvilluar duke shkelur masat anti-COVID.

Obiliq, 5 shkurt - Drejtësia dhe punësimi do të ishin prioritetet e një qeverie të Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, ka thënë të premten në Obiliq, në ditën e tretë të fushatës, se vetëm përmes punësimit mposhtet migrimi i të rinjve, e me drejtësi korrupsioni. Ai u ka kërkuar qytetarëve të Obiliqit që të dalin dhe të votojnë masivisht.

Si ka thënë ai tutje, “15 minutat e tyre të investuara në votim në ditën e zgjedhjeve, do t’ua rregullojnë jetën për katër vjetët e ardhshëm”.

“’Drejtësi’ dhe ‘punësim’ i kemi fjalët kryesore që do t’i bëjmë koncepte, do t’i bëjmë projekte e do t’i bëjmë ligje, ashtu që të mos ketë krim e korrupsion, si dhe të ketë zhvillim ekonomik që punëson gjithë popullsinë, sidomos rininë dhe gratë”, ka premtuar Kurti.

I shoqëruar edhe nga kandidatja për presidente e LVV-së, Vjosa Osmani, Kurti u ka thënë obiliqasve se sfida e vetme për këto zgjedhje do të jetë nëse do të marrin, ose jo, më shumë se 61 deputetë.

Ndërkohë, Osmani ka siguruar ata se premtimet e dhëna në fushatë, do të bëhen realitet pas zgjedhjeve, nëse Vetëvendosje e merr pushtetin.

“Ju e dini që ne nuk jemi të tillë që ju harrojmë, sapo të mbyllen kutitë e votimit. Janë të tjerë ata që thonë se qytetarët nuk vendosin. Ka ardhur koha që më 14 shkurt, atyre që ju harrojnë sapo të përfundojnë zgjedhjet, t’i harroni edhe ju dhe t’ia jepni shansin historik një qeverisjeje e cila do të udhëhiqet nga kryeministri ynë”, ka thënë Osmani.

Pas fjalimeve që të dy kandidatët mbajtën para shtatores së dëshmorit, Aziz Zhilivoda, Kurti dhe Osmani u takuan edhe me të rinjtë e Obiliqit, të cilëve ua shpalosën çështjet kryesore të programit qeverisës për rininë. Ndër to edhe banimi i përballueshëm, punësimi në profesion dhe edukimi cilësor.

“Kemi paraparë gjithsej 20 milionë euro, mesatarisht nga 10 mijë euro për pajisje dhe për qira, nëse dëshirojnë të fillojnë bizneset. Dhe për vajzat studente, 1000 bursa, posaçërisht nëse studiojnë shkencat teknike e natyrore”, ka thënë ndër të tjera kandidati për kryeministër i LVV-së.

Edhe në programin e Vetëvendosjes shkruhet se Qeveria e Vetëvendosjes do të përgatisë një pako intervenimesh që synojnë adresimin e problemit të shkallës së ulët të angazhimit të të rinjve në jetën ekonomike. Kjo pako fillon nga rritja e bursave për studentë, fuqizimi i angazhimit të të rinjve në praktika profesionale, të paguara dhe subvencionuara nga shteti, mbështetje e sistemit arsimor për ta ulur hendekun e shkathtësive në tregun e punës, e deri të programet e mëdha dhe që thuhet se do të mbështesin mijëra iniciativa novative të të rinjve.

Kandidatët e Vetëvendosjes kanë bërë fushatë të premten edhe në Vushtrri. Edhe atje, si në Obiliq e në të gjitha tubimet deri më tash, fushata u zhvillua në kundërshtim të plotë me masat e Qeverisë për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit.

Mes qytetarëve të Vushtrrisë, Kurti ka kërkuar që të votohet Vetëvendosja dhe lista e saj e plotë, me 110 kandidatë. Kërkesë të njëjtë pati edhe Osmani.

“Ju ia keni dhënë shqiptarisë Hasan Prishtinën, tash është koha me ia dhënë Kosovës ndryshimin e madh. Me vullnetin tuaj, jam e bindur që nuk ka gjë që mund të na ndalë. Të gjithë po thonë se Vushtrria është mbi 61 për qind, por për këdo që ka dyshuar, mjafton t’ju shohë ju sot”, ka thënë Osmani, teksa u drejtohej qytetarëve të shumtë në numër, në bulevardin “Adem Jashari” në Vushtrri.

Fushata e Kurtit dhe Osmanit ka vazhduar në disa fshatra të Drenasit. Atje, dytë janë zotuar për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.

“Me qeverinë e re do të angazhohemi për ndjekjen e kriminelëve serbë”, ka deklaruar ai në Abri, ku gjatë luftës ishin vrarë mbi 20 persona.