Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente nga lista zgjedhore e kësaj partie, Vjosa Osmani, u kërkuan qytetarëve dalje masive në zgjedhje, sepse, sipas tyre, vetëm një gjë e tillë do t’ua siguronte 61 deputetë. Ata kanë zhvilluar fushatën në Kaçanik e Ferizaj, ku nuk pati respektim të masave anti-COVID
Ferizaj, 4 shkurt – Zhvillim të ekonomisë prodhuese ka premtuar të enjten kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në rast se vjen në qeverisje.
Në një vizitë, që ai bashkë me kandidaten për presidente nga Lista e Vetëvendosjes, Vjosa Osmanin, ia bënë një fabrike të ëmbëlsirave në Ferizaj, Kurti ka thënë se Qeveria e tij do ta ndihmojë prodhimin dhe eksportin.
Fuqia e një shteti, siç ka thënë ai, matet me masën e ekonomisë prodhuese që ka, teksa ka shtuar se partia e tij e ka programin më të mirë për një shtet me deficit tregtar, si është Kosova.
“Me ne, çdo biznesi i eliminohet edhe ryshfeti në fillim edhe haraçi në vijim”, ka deklaruar ai, duke thënë tutje se ekonominë e popullsinë do ta ndihmojë edhe me politika sociale.
Për Kurtin, 14 shkurti do të jetë “referendum për hapjen e një kapitulli e qeverie të re, që nuk do të qeverisë për inat të askujt, por vetëm për të mirë të popullsisë”.
Kurtit dhe Osmanit u shprehu shqetësim për ikjen e rinisë nga Kosova një qytetare e Ferizajt, tre djemtë e së cilës ishin larguar drejt Perëndimit. Ajo i këshilloi të mos e kenë prioritet interesin personal.
“Nëse punoni për popull, për shtet, keni me e pasë mbështetjen për jetë. Nëse punoni për xhepa të juaj, ne ju largojmë si ata të tjerët. Këta e kanë çu gjatë; 21 vjet janë bërë milionera, po ne nuk ju lëmë juve kaq gatë të shkoni”, i ka paralajmëruar ferizajasja kandidatin për kryeministër të LVV-së e atë për presidente.
Fushatën në Ferizaj, Kurti e ka vazhduar në sheshin kryesor të qytetit, duke marshuar bashkë me shumë aktivistë e përkrahës të Vetëvendosjes. Mobilizim të tillë, kreu i LVV-së, ka kërkuar edhe për ditën e zgjedhjeve.
“Kësisoj do të marshojmë drejt 14 shkurtit, që nuk janë një palë zgjedhje të zakonshme me të cilat jemi mësuar, por referendum gjithëpopullor ku shumica popullore bëhet shumicë parlamentare, 61 deputetë e përpjetë”, ka thënë Kurti.
Edhe pse masat anti-COVID u shpërfillën në Ferizaj, Kurti ka thënë se pandemia ua ka kufizuar aktivitetin parazgjedhor. Megjithatë, ai u ka bërë thirrje aktivistëve që të takojnë qytetarë, në mënyrë që më 14 shkurt të ketë dalje masive për votim.
Kërkesë të njëjtë për qytetarët pati edhe Vjosa Osmani.
“Faleminderit shumë për përkrahjen dhe mos u ndalni deri më 14 shkurt, në mënyrë që të mos mbetet asnjë qytetar pa votuar për ndryshim”, ka thënë Osmani.
Takim të njëjtë me qytetarët, pa respektim të masave anti-COVID, Kurti e Osmani kanë zhvilluar edhe në Kaçanik. Aty janë pritur me lule e brohoritje të shumta.
E për hapjen zyrtare të fushatës, që të mërkurën mbrëma Vetëvendosje pati në parkingun e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet, Komuna e Prishtinës i ka shqiptuar një gjobë prej 2.000 eurosh.
Në kuadër të programit të Vetëvendosjes për ekonominë, parashihet përkrahje për bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe t’i rrisin eksportet e Kosovës, ashtu si dhe për ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve, sidomos të grave, të rinjve, anëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe familjeve në ndihmë sociale.