Lirim Krasniqi nga organizata Germin, e ka quajtur të padrejtë dhe arbitrar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të telefonuar votuesit jashtë vendit për verifikim.
Krasniqi në një intervistë në Interaktiv të KTV-së ka thënë ky vendim i pamenduar i KQZ-së, pritet të shkaktojë humbjen e të drejtës së votës për shumë mërgimtarë.
Ai tha se qysh më 25 janar do të duhej të publikohej lista finale e votuesve jashtë vendit, ndërkohë që ajo ende nuk është gati. Ndërkohë, sipas planit operacional të vetë KQZ-së, nga e marta, votuesit jashtë vendit do të duhej të nisnin votimit përmes postës.
Por kjo nuk do të ndodhë, pasi nuk ka as listë të votuesve e as fletëvotim.
“I gjithë procesi i aplikimit të votuesve nga jashtë, nga fillimi, është përcjell me vendime që i kemi cilësuar të padrejta, qysh nga vendimi për verifikimin përmes telefonit. E kemi cilësuar të padrejtë, masë arbitrare, ka krijuar kushte që të cenohet e drejta e votës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se KQZ-ja ka aplikuar një proces të tillë për zgjedhjet në Istog më 2017, por vetëm për votat e dyshimta.
“E ka shfrytëzuar si precedentë për ta përdorur sërish”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe raste të shumta kur votuesit jashtë vendit kanë humbur të drejtën e votës vetëm pse nuk ishin të qasshëm në telefon.
“Kjo do të shkurtojë afatin ligjor për votim, e duke pasur parasysh që edhe afati është i shkurtër, do të ndikojë që votuesit të mos i dërgojnë votat me kohë. Kjo vjen për shkak të një vendimi të padrejtë”, ka thënë Krasniqi.
Sot, KQZ-ja njoftoi se 30 mijë aplikime nga jashtë janë refuzuar për arsye të ndryshme, ndër to edhe për moslajmërim në telefon.