Grupi KOHA ka filluar me platformën Premium me pagesë sot. Në kuadër të kësaj do të jenë tri pako, ajo Bazike, Premium dhe Arka.
Lexuesit e KOHËS, ndër të tjera, në këto pako do të mund të gjejnë hulumtime, analiza, intervista, libër të përzgjedhur nga Koha, gjithologët e shumëçka tjetër.
“Është moment i ri në ecjen tonë, si kompani mediale, moment i ri edhe në mënyrën se si gazetaria përkujdeset për veten. Një gazetari e pavarur nuk mund të jetë e tillë, nëse nuk i ka të hyrat e qëndrueshme financiare dhe nuk ka mundësi që lexuesit të përfitojnë një kredibilitet. Besueshmëria jonë gjithmonë është ndërtuar në mënyrën se si ne punojmë, arsyeja pse kemi dal me këtë platformë dhe në këtë moment, është të vazhdojmë me punën që kemi bërë ndoshta edhe më shumë. Historia e kësaj pune ndërlidhet me pandeminë, qe një vit nuk kemi qenë në gjendje ta prodhojmë gazetën ditore e ta shesim si më parë. Por, historia e transformimit të KOHËS lidhet me një trend teknologjik, i cili ekziston për vite, dhe kemi pasur plan të ndryshimit të mënyrës së punës dhe daljes në digjital më tepër se në shtyp. Por ajo që ishte paraparë brenda 5 vjetëve, po ndodh brenda një viti, shkaku i ndikimit të pandemisë. E kemi tani atë, që ndoshta planifikonim ta kishim në vitin 2023 apo 2024”, ka thënë shefi i Deskut të KOHËS, Agron Bajrami, në emisionin SOT.
Bajrami ka folur se si me platformën e re lexuesit do të kenë në dispozicion gjitha produktet e KOHËS në gjitha aparatet digjitale të tyre. Ai ka treguar edhe për integrimin e Deskut të KOHËS
“Kemi nisur integrimin e Deskut tonë para pak më tepër se një viti. Ai bashkim nënkupton edhe ndryshim në mënyrën se si punohet. Lexuesit tanë që na përcjellin e kanë vërejtur një ndryshim në muajt e fundit, si prodhohen lajmet, si bëhen reportazhet, i kanë parë disa emra të rinj në lajmet e mbrëmjes, që kanë qenë më herët vetëm në gazetë. Ky ndryshim që imponohet nga jeta moderne, teknologjike, është dashur të bëhet. Synimi ynë ka qenë të bëhet në mënyrën që të mos dëmtohet ajo që është parësore, pra gazetaria jonë të jetë profesionale, e pavarur dhe me standarde të larta të hulumtimit, që të raportojmë tema që janë me interes të publikut, e që duhet të gërmohet më shumë të vihet te faktet relevante. Kjo nënkupton se ka edhe një kosto. Kjo kompani ka mbi 250 të punësuar dhe të gjithë ata në këtë moment punojnë për të prodhuar diçka që lexuesi kur e lexon të jetë më i informuar. Në portalin Koha.net me pakon Premium do të kemi përmbajtje të ndryshme në aspektin teknologjik e profesional. Ka edhe video. Janë tri pako. Është ajo Bazike që në fakt është pa pagesë , por të gjithë duhet të jenë të regjistruar për ta përdorur. Është një numër i lajmeve Premium që i prodhojmë ne apo i hulumtojmë, e që janë pronë e jona si medium. Këto lajme do t’i kenë një numër të kufizuar, më duket se është tre fillimisht brenda muajit, që mund të lexosh në pakon Bazike. Nuk ke nevojë të paguash për ato”, ka thënë Bajrami. “Pako tjetër është ajo kryesore, që është Premium, që për një pagesë mujore apo vjetore, lexuesit tanë mund të kenë gjitha produktet tona që i prodhojmë si medium. Ata që janë për shumë vjet me radhë me KOHËN e dinë pse kjo po ndodh. Një gazetari profesionale, hulumtuese, që nuk i nënshtrohet ndikimeve të ndryshme kur i raporton faktet, e ka koston e vet.
E redaktori i KOHËS, Sami Kçiku, ka folur për pakot, dhe se si lexuesit mund të kenë një lirim total deri 45 për qind me anë të kodeve promovuese të cilat janë dërguar.
“E dimë se që nga marsi, kur u mbyll vendi për shkak të pandemisë, e kemi dhënë formatin e gazetës në PDF pa pagesë. Gjithë e dinë se kjo ka kosto për gazetën e kompaninë. Kemi ardhur në pikën kur duhet të fillohet edhe me parapagim. Kostoja për lexuesin është shumë më e ulët, sesa që ishte me gazetën . Për parapagim vjetor, lexuesit kanë marrë një email falënderues e informues dje nga Flaka, ku i kanë kodet promovuese, që mund të përfitojnë zbritje shtesë. Krejt zbritja mund të shkojë në 40 deri 45 për qind. Kodet provomuese janë të kufizuara. Periudha është deri më 28 shkurt për t’u shfrytëzuar ato. Ata që i shfrytëzojnë të parët marrin zbritjen maksimale deri 45 për qind”, ka thënë Kçiku.
Ndërkaq gazetarja e portalit Koha.net, Besjana Bajrami, ka treguar më shumë detaje rreth platformës Premium dhe përmbajtjeve që ofrohen në portal.
“Kisha dashur të bëjë falënderim të veçantë për lexuesit Koha.net, që na kanë qëndruar e vazhdojnë të na qëndrojnë besnik për gjitha përmbajtjet që publikohen te ne, duke mos hezituar asnjëherë të shkruajnë, për sugjerim, kritikë apo lëvdatë, në gjitha kanalet e komunikimit. Platforma Premium nga sot ka filluar me pagesë. Koha që nga marsi kur janë shfaqur rastet e para me koronavirus, e kanë ofruar përmbajtjen e gazetës ditore pa pagesë. Kanë mundur ta gjejnë gazetën në formatin PDF në KOHA.net. Tashmë ka ndryshuar kjo, po atë përmbajtje mund ta gjejnë në platformën Premium. Lexuesit kanë mundësi të lexojnë lajme edhe pa pagesë. Lexuesit e KOHA.net e shikuesit e emisioneve të KTV-së mund të shohin edhe emisionet edhe në formën online. Munden të hyjnë te portali koha.net. Në ballinë qëndron linku i emisionit që është e mund ta shohin”, ka thënë Bajrami.