Arbëri

Tubimet partiake pa maskë e distancë, pas dy jave pritet të shihen efektet e para

(Prishtinë 31 janar, Kosovapress) Thirrjeve të vazhdueshme të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për respektimin e masave anti-COVID nuk po i përgjigjen partitë politike.

Përkundër situatës pandemike në vend ata tashmë kanë nisur fushatën parazgjedhor ku po organizojnë tubime pa maska e pa distancë, me qindra të pranishëm.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, në ambiente të mbyllura lejohen vetëm 30 persona, ndërsa në hapësira publike deri në 50, gjithmonë duke respektuar masat kundër COVID-19.

Infektologu Ilir Tolaj thotë se takime të tilla të shumë personave ku nuk respektohet as masat që parandalojnë përhapjen e pandemisë, paraqesin rrezik potencial për shtim të shifrave të të prekurve me COVID-19.

Sipas tij, efekti i këtyre tubime do të shihet vetëm pas më shumë se 2 javëve prej kur po mbahen aktivitetet partiake.

“Çdo grumbullim i njerëzve pa respektuar masat mbrojtëse dhe në tubimet që zgjasin më shumë se gjysmë ore po them, me siguri që janë rrezik potenacial që me u përcjell infeksion në mesin e atyre njerëzve. Prandaj, mos respektimi këtyre masave pas vetës sjell një rrezik të shtimit të numrit të këtyre rasteve....Efektet e këtij aktiviteti të shtuar të grumbullimit të njerëzve për qëllime paraelektorale mund të shihen diku pak para datës së zgjedhjeve ose rreth asaj date...Secili njeri që është i involvuar në fushatën parazgjedhore është duke vepruar në mënyrë të njëjtë nuk kam ndonjë koment tjetër përpos që veprimet e tilla nuk janë në harmoni as me rekomandimet që i kanë bërë vetë autoritetet”, theksoi Tolaj.

Tubimet të tilla që po organizohen nga të gjitha partitë politike në prag të fushatës zgjedhor për zgjedhjeve e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve po vlerësohen si papërgjegjësi politike.

Besim Kodra nga kjo shoqatë thotë se është e papërgjegjshme që subjektet politike për qëllime të përfitimit të votave tu rrezikojnë qytetarëve shëndetin.

“Kjo është një parafushatë e papërgjegjshme e partive politike të cilat i ftojnë qytetarët për të marrë pjesë në tubime masive dhe po ua rrezikojnë shëndetin e tyre. Është sjellje e papërgjegjshme tu thuhet qytetarëve se do të ndërtojmë një sistem ligjor duke shkelur ligjin, është sjellje e papërgjegjshme tu prezantosh programin për rregullim të shëndetësisë duke i rrezikuar qytetarëve shëndetin. Sjellja e partive politike ka minuar përpjekjet e qytetarëve dhe të bizneseve që të mbrohen nga COVID-19. Është e patolerushme që partitë politike të shkelin mbi viktimat e COVID-19 vetëm për të realizuar një votë më pak ose më shumë“, tha Kodra.

Ndërsa, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi ka deklaruar se inspektorët e këtij institucioni janë të pakompromisë ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin anti-COVID.

Sipas tij, inspektorët e AVUK-ut shqiptojnë gjoba për subjektet afariste që shkelin masat kundër pandemisë.

“Kudo që kemi hasur në grumbullimin e njerëzve mbi numrin e lejuar, apo çfarëdo lloj organizimi nëpër subjekte afariste të gastronomisë inspektori në secilin rast ka vepruar konfrom ligjit në fuqi dhe vendimeve të qeverisë. Dhe kemi një numër të madh të masave ndëshkimore gjithmonë për subjekte afariste të cilat e kanë shkelur ligjin dhe vendimet e qeverisë në fuqi. Por nuk ka qenë asnjëherë detyrë e inspektorit për t’i identifikuar grupit të cilit i përkasin njerëzit apo organizimin e ahengut apo takimit që është mbajtur aty, ne gjithmonë kemi vepruar konform obligimit që kemi për shqiptimin e masës ndëshkimore ndaj subjektit juridik”, tha ai.

Kosova tashmë është prekur edhe nga varianti britanik i COVID-19, me tri rastet e para të konfirmuara. Ndërsa, me variantin COVID-19 në Kosovë vetëm në 24 orët e fundit pozitiv kanë rezultuar 285 raste, ndërsa 5 qytetarë e kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me COVID.