4 perditesime
18:00

Vetëvendosje pa prijës liste, rirenditje s’bën as AAK-ja e as Nisma

Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pa prijës në listës e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi partia nuk ka bërë rirenditje të kandidatëve në listë, pasi Gjykata Supreme vendosi për moscertifikim të disa kandidatëve të kësaj partie, përfshirë kryetarin e saj Albin Kurti që ishte numri një në listë.

Në mbledhjen e së shtunës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që pasi partitë s’kanë vendosur për rirenditje, nuk i takon këtij institucioni të bëjë ndryshime nëpër lista.

Tek Vetëvendosje, pos numrit 1, atij të Albin Kurtit, janë hequr nga lista edhe emrat e Albulena Haxhiut dhe Bajram Mavriqit.

Rirenditje s’kanë pranuar të bëjnë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate.

17:20

VV-ja, Nisma e AAK-ja nuk bëjnë rirenditje të kandidatëve në lista

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim të Partive dhe Certifikim ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk kanë bërë rirenditje të kandidatëve në listat garuese për deputetë të Kosovës, pasi Gjykata Supreme nuk i certifikoi të plota këto lista.

Ai ka thënë se në numrat në broshura, ku mungojnë emrat e kandidatëve, do të hijezohen për të mos lejuar gabime nga qytetarët.

Arianit Elshani, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se nëse në listat garuese lihen hapësira, aty ku kandidatët s’janë certifikuar, do të ketë probleme në numërimin e votave.

Sipas tij, kjo do të sjellë probleme mes komisionerëve në vendvotime.

Alim Rama i Lëvizjes Vetëvendosje deklarimin e anëtarit të PDK-së e ka cilësuar si “tentim për të hutuar votuesit”.

Ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i qëndron prapa listës së parë dhe s’e sheh të arsyeshme ndërrimin.

Edhe Sami Hamiti, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka rekomanduar për rirenditje, pasi sipas tij do të jetë problem numërimi i votave.

Arsyetimin e tij për kërkesën për rirenditje Elshani e ka lidhur edhe me ligjin që kërkon që çdo i treti kandidat të jetë i gjinisë femërore. Sipas tij, si pasojë e moscertifikimit ka lista ku janë pesë burra rresht në listë dhe kjo ka thënë se paraqet shkelje.

16:26

Partive u skadon afati për rirenditjen e kandidatëve për deputetë

Në orën 16:00 ka skaduar afati për partitë që kanë dashur të bëjnë rirenditjen e kandidatëve për deputetë në listat zgjedhore të 14 shkurtit.

14:16

Subjektet politike kanë afat deri në orën 16:00 ta bëjnë rirenditjen e kandidatëve për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar partitë se deri në orën 16:00 mund të njoftojnë për ri-renditjen e kandidatëve për deputetë.

Përmes njoftimit, KQZ-ja shkruan se mbledhja do mbahet sot në orën 17:00.

“Në ndërkohë, KQZ, përmes ZRPPC-së, i ka njoftuar subjektet politike, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë”, thuhet në njoftim.

KOHA ka tentuar të kontaktojë zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me ri-renditjen e listës së tyre mirëpo kanë qenë të paqasshëm.

09:47

KQZ-ja mblidhet sot për të proceduar pas vendimeve të Supremes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot pasdite për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme.

Kështu ka bërë të ditur për KOHËN, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet e Gjykatës Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur qysh në fillim të fazës ankimore, do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme”, ka thënë Elezi.

Gjykata Supreme ka vendosur të premten rreth ankesave të subjekteve politike për certifikimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Supremja ka pranuar pjesërisht ankesën Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë.

Gjykata ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që Liburn Aliun dhe Labinotë Demi-Murtezajn, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë, por jo edhe bartësin e listës dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti. Njësoj është vepruar edhe me Albulena Haxhiun e Bajram Mavriqin, që s'do të kenë të drejtë kandidimi.

Supremja shkruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3-vjeçar, duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve.

Gjykata Supreme ka aprovuar pjesërisht edhe ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Numrin dy të listës së kësaj partie, Shemsedin Dreshajn, e ka lejuar të garojë për deputetë.