Arbëri

Kurti e Haxhiu jashtë listës për deputetë, VV-ja nuk ankohet në Kushtetuese

 

Gjykata Supreme ka konfirmuar se bartësi i listës së Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në garën zgjedhore nga ky subjekt nuk mund të marrin pjesë as Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Nga katër kandidatët e larguar të AAK-së, në garë Supremja ka rikthyer vetëm njërin. Vetëvendosje ka njoftuar në mbrëmjen e së premtes se nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Nga KQZ-ja paralajmërojnë mbajtjen e mbledhjes së radhës për të vazhduar me procedurat e tjera në prag të ditës së zgjedhjeve

Prishtinë, 29 janar - Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për moscertifikimin e bartësit të listës së saj, Albin Kurti, dhe dy kandidatëve të tjerë për deputetë, Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Sipas VV-së, ankesa do t’u shërbente skenarëve që duan të pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve më 14 shkurt.

“E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook.