Arbëri

Përveç Prishtinës, asnjë komunë nuk i ka gjobitur partitë për tubimet

Nuk është vetëm rreziku i përhapjes së virusit, por edhe ai nga të shtënat e armëve, që vjen nga tubimet e partive politike në prag të fushatës zgjedhore.

Të shtënat e armëve janë dëgjuar në një tubim të PDK-së në Suharekë, të mbajtur të enjten në mbrëmje. Pamjet që ka siguruar KOHA tregojnë që pos përdorimit të armëve, mysafirët e shumtë brenda një ode nuk i respektojnë as masat anti-COVID.

Fotografi nga ky tubim në Facebook ka postuar edhe Sami Lushtaku, kryetar i PDK-së në Skenderaj, ku ka shkruar se ka qenë në shtëpinë e Komandant Gurit në Suharekë, “në mesin e qindra bashkëluftëtarëve”.

Ditë më parë një video e ngjashme doli në media edhe nga një tubim i PDK-së në Skenderaj.

Por derisa te tubimet e kësaj partie ka edhe të shtëna armësh, te partitë e tjera pa asnjë dallim rreziku vjen nga mosrespektimi i masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

Një i tillë është mbajtur këtë javë me praninë edhe të vetë ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Policia deri më tani ka shqiptuar mbi 120 mijë gjoba ndaj qytetarëve, ndërkohë që ndaj partive politike janë shqiptuar vetëm 7 gjoba nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës. Asnjë komunë tjetër nuk ka ndëshkuar ndonjë parti politike, ndonëse tubimet mbahen gjithandej Kosovës.

Asociacioni i Komunave të Kosovës këtë e ka arsyetuar me mungesë inspektorësh.

Policia nuk ka komentuar mosndëshkimin e partive, por vetëm ka thënë se është e përkushtuar në zbatimin e Ligjit anti-Covid. Prokuroria Themelore për rajonin e Mitrovicës dhe ajo për rajonin e Prizrenit nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse kanë nisur hetime për përdorim të armëve në Skenderaj e Suharekë.

Partitë politike, me përjashtim të AAK-së, nuk kanë komentuar tubimet që shkelin masat anti-Covid. AAK-ja ka thënë se i respekton ato dhe tashmë ka nxjerrë një manual për organizim të tubimeve.

Ditë më parë Komuna e Prishtinës njoftoi se ka gjobitur me nga 2000 euro për mosrespektim masash: LDK-në tri herë dhe nga një herë PDK-në, VV-në, AAK-në e Nismën.