Arbëri

Zemaj: Vaksina anti-Covid vjen në shkurt, s’ka lirim të masave

Prishtinë, 28 janar (Ekonomia Online) - Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sërish ka insistuar se vaksina anti-COVID do të arrijë në Kosovë në muajin shkurt.

Zemaj ka thënë se janë duke punuar në sigurimin e kësaj vaksine.

“Jemi duke punuar intensivisht. Tash kemi siguruar zinxhirin e ftohjes. Përgatitjet teknike janë në realizim. Janë miratuar dhe hartuar strategjia e imunizimit. Procesi i vaksinimit do të fillojë sipas dinamikës dhe sigurimit të saj, ashtu siç po pretendojmë jo vetëm ne, por edhe vendet e rajonit dhe vendet evropiane. Sigurisht”, tha ai.

Ai ka folur edhe për tubimet e partive politike, moszbatimin e masave. Ka thënë se të gjithë duhet respektuar masat.

“Nuk duhet të presim vetëm gjoba dhe ndëshkime, por duhet respektuar masat”, ka thënë Zemaj, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se nuk do të ketë lirim të masave që mund të ndikonin në përkeqësim të situatës me pandeminë.