Kërkesë urgjente për Policinë e Kosovës e ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, kishte parashtruar Ben Emmersion, avokati i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.
Nga ta kërkohej që t’ia konfirmonin atij se institucionet do të siguronin që do ta mbikëqyrnin Veselin në rast së lirohej nga paraburgimi.
Kërkesën e Emmersonit që institucionet shtetërore t’i bëheshin garantues të akuzuarit, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, e kishte përcjellë te ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, e te drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Në letrën drejtuar Selimit, Emmerson thotë se ka biseduar në telefon me Mehmetin, dhe më pas ka shkruar draft dëshmi në emër të tij, dhe të gatshme për nënshkrim ia ka dërguar, me mundësi që të ndërhyjë në përmbajtje, edhe pse drejtori i Policisë nuk i është përgjigjur.
Megjithatë, ministri i Drejtësisë i është përgjigjur avokatit Emmerson. Komunikimin e ka përcjellë te ministri Veliu dhe te drejtori Mehmeti.
Përgjigje mbrojtjes së Veselit më pas i ka kthyer edhe drejtori i Policisë. Përgjigjja e tij është procedurale. Aty ai tregon se mbikëqyrja e të akuzuarve në pritje të vendimit të gjykatës është punë e tyre e zakonshme.
Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se përgjigje avoktatit të Veselit i kanë kthyer në përputhje me procedurat ligjore.
“Ministri i Drejtësisë kishte pranuar një kërkesë nga Avokati z. Emmerson, e cila duhej adresuar tek Drejtori i Përgjithshëm, e njëjta pa vonesë është adresuar tek Drejtori. Vlerësojmë se kërkesa ishte adresuar në këtë mënyrë, nisur nga fakti i dikasterit që mbulon Ministri Selimi. Në përgjigjen e Drejtorit të Policisë, e cila i është dërguar Avokatit Emmerson, theksohet se Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete të mjaftueshme për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigje të MD-së.
Megjithatë, komunikimet e institucioneve të Kosovës me mbrojtjen janë të pazakonshme, sepse në rastet e gjykimeve në Kosovë, institucionet shtetërore nuk garantojnë të akuzuarit se do të mbikëqyren në rast se lirohen nga paraburgimi, por i garantojnë gjykatës në rast se ajo kërkon një gjë të tillë.
Kjo për Ehat Miftarajn e IKD-së mund të konsiderohet si precedent i rrezikshëm, për shkak se të gjithë të akuzuarit që gjendën në paraburgim, sipas tij, mund të kërkojnë garanci nga institucionet e drejtësisë që të lirohen nga paraburgimi.
“E njëjta do të vlente edhe në raste në Kosovë, rasti që është me popullor ‘Sekiraqa’. Çka nëse avokati i Sekiraqës do të kërkonte nga Policia nga Ministria e Drejtësisë që të jepnin garanci që klienti i tyre ta zbatonte masën e arrestit shtëpiak. Thjesht, nuk ka logjikë juridike dhe thjesht një precedent i tillë do të kishte kontraefekt në sistemin penal juridik në Kosovë”, thotë Miftaraj.
Pavarësisht deklarimeve të institucioneve shtetërorë në Kosovë, sipas avokatit Kushtrim Palushi, Gjykata Speciale nuk ka besim në këto institucione.
“Gjykata Speciale nuk ka treguar që ka besim në organet e zbatimit të ligjit në Kosovë, përkatësisht këto organe, si policinë por edhe institucionet e tjera i sheh në funksion apo në shërbim të personave të akuzuar”, thotë avokati Kushtrim Palushi.
Ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i është refuzuar kërkesa për lirim nga paraburgimi. Ai së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Jakup Krasniqi e ish-deputetin Rexhep Selimi janë pjesë e një aktakuze të përbashkët për krime lufte.