Arbëri

Hoxhaj para studentëve të Juridikut akuzon VV-në se synon ta përmbysë sistemin juridik

Edhe një herë, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 2021-s kanë përballë vetëm dy koncepte: “Atë të PDK-së që respekton institucionet e pavarura të Kosovës dhe atë të PDK-së që i linçon”.

Në një takim me studentë të Fakultetit Juridik, Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër dhe kandidati për deputet Abelard Tahiri kanë prezantuar planin e PDK-së për sigurinë dhe drejtësinë, në rast se marrin pushtetin.

Hoxhaj ka thënë se 14 shkurti do të jetë “datë vendimtare për fillimin e planit të luftës kundër krimit të organizuar dhe në veçanti konfiskimit të pasurisë së fituar me aktivitet kriminal”.

“Nuk ka shtet të suksesshëm dhe funksional pa sundim të ligjit. Nuk ka as demokraci dhe as shtet pa sundim të ligjit. Dhe në këto zgjedhje ka dy koncepte, një koncept i cili e respekton sundimin e ligjit, i cili e respekton ligjet e Kosovës dhe institucionet e pavarura të Kosovës. Dhe një koncept tjetër nga LVV-ja, e cila i linçon institucionet e pavarura të Kosovës, e cila nuk e respekton sundimin e ligjit dhe e cila është e interesuar që ta përmbys sistemin tonë juridik dhe politik në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Tahiri ka theksuar se programi i PDK-së në fushën e drejtësisë “do të japë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar”.

“Deklaruam edhe konceptin e ri të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, mënyrën e verifikimit të pasurisë së tyre. Në mënyrë që të mos lejojmë kurrfarë abuzimi me paranë publike dhe çështjet tjera, po ashtu edhe aspektin e përmirësimit, ndryshimit të drejtësisë penale, e cila mundëson ndjekje efikase të të korruptuarve, kriminelëve, trafikantëve, atyre që merren me fajde dhe haraç. Pra, ne kemi një angazhim konkret të cilin sot e prezantuam para studentëve të Fakultetit Juridik”, ka deklaruar Tahiri.