4 perditesime
23:40

Musliu: Do të doja që lista e VV-së të certifikohej si e plotë

Kandidatja për deputete në radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se do të pëlqente që lista e plotë e Vetëvendosjes të certifikohej dhe Albin Kurti të ishte bartës i asaj liste. Ajo thotë se vetëm atëherë ballafaqimi do të ishte i drejtpërdrejt dhe gara fer.

Por në anën tjetër thotë se Vetëvendosja po tregon standarde të dyfishta.

“Rreth moscertifikimit të listave kam dy mendime. Në radhë të parë do të doja që lista e VV-së sidomos të certifikohej dhe z. Kurti të marrë pjesë në zgjedhje si bartës i listës, pasi vetëm atëherë ballafaqimi ynë do të ishte i drejtpërdrejt dhe gara do të ishte si të them fer. Thjeshtë së pari na konvenon që ai të jetë në garë për kryeministër, pasi duam të matim forcat realisht në terren”, ka thënë Musliu në Interaktiv të KTV-së. “Ana tjetër kur jemi te vendimi i gjykatës, kemi të bëjmë me standarde të dyfishta që përdor VV-ja në këtë rast. I duartrokitën një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi Qeverinë, i duartrokitëm në fat të gjithë, pasi ishim në një moment kur vendi çdo ditë e më shumë po kalonte në krizë. Kishim Qeveri që nuk merrte asnjë vendim pa përkrahjen sidomos të PDK-së. Vendimet e mëdha, si Rimëkëmbja, Projektbuxheti dhe dërgimi i forcave të armatosura në mision ndërkombëtar. E dini se VV-ja e duartrokitmi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e nuk tha se gjykata është e hapur siç e ka zakon. Anën tjetër vendimi tjetër që e ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje të personave me vepra penale, e kundërshtojnë kategorikisht”.

Musliu ka thënë se është e bindur në fitoren e PDK-së nga ajo që po sheh në terren.

23:29

Musliu: Duhet investuar për të fituar njohje të reja

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se është problematike çështja se Kosovën tash e sa vite nuk e ka vizituar ndonjë personalitet i njohur.

Musliu në Interaktiv të KTV-së ka thënë se duhet investuar për të fituar njohje të reja dhe duhet bërë analizë se pse nuk është arritur ndonjë viteve të fundit.

“Mendoj se duhet të investojmë shumë që të fitojmë njohje për shtetin tonë, tash e sa kohë s’kemi njohje të re për shtetin, kjo do analizë”, ka thënë ajo.

Musliu ka deklaruar se Qeveria duhet bërë më tepër për Ministrinë e Jashtme, duke avancuar më tepër me takime.

E pyetur për motrën e saj, Fatmire Musliun, që ka post diplomatik jashtë vendit, Musliu ka deklaruar se me këtë çështje duhet të merret Ministria e Jashtme.

“Duket shumë banale kjo pyetje dhe e stërvjetëruar, ma tregoni një rast kur motrës sime i ka shkuar vendimi të kthehet në vend dhe ajo ka refuzuar kërkesën”, ka shtuar Musliu.

KOHA kishte raportuar kohë më parë se motra e ish-deputetes së PDK-së, Fatmire Musliu, i ishte vazhduar mandati i tretë në misione diplomatike, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e MPJ-së.

23:24

Musliu: Mëkat që nuk u përkrah nga partitë tjera Ligji për mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së

Kandidatja për deputete në radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se është mëkat që nuk është përkrahur nga partitë tjera Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, e me theks të veçantë LDK-ja e VV-ja.

Ndaj këtij projektligji që ishte propozuar nga PDK-ja, kishte pasur reagime, përfshirë edhe nga ambasadat e huaja. Ishte konisderuar se mohon të drejtën e shprehjes së lirë.

“PDK-ja asnjëherë nuk inicion ligje që mohojnë të drejtën e shprehjes së lirë nga askush e askënd. Konsideroj se ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës është mëkat që nuk u përkrah, e me theks të veçantë nga LDK-ja e VV-ja. Nuk ishte ligji më i mirë i mundshëm, ofruam projektligj e ishim të hapur mes dy leximeve ta plotësojmë me amendamente. Por, refuzimi kategorik i partive tjera tregon më së miri në çfarë gjendje jemi si shtet. 21 vite pas luftës nuk kemi ligj të tillë”, ka deklaruar Musliu në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka shtuar se PDK-ja e ka propozuar një ligj të tillë mandatin e kaluar.

“Ka shumë propagandë nëpër media se është nisur një iniciativë e tillë në një momentum kur është pritur arrestimi i liderëve tanë”, ka deklaruar Musliu.

23:17

Musliu: PDK-ja është disa hapa para partive tjera politike

Kandidatja për deputete në radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se PDK-ja po hynë shumë mirë e organizuar në zgjedhje dhe është disa hapa para partive tjera.

Ajo ka shtuar se motoja e PDK-së në këto zgjedhje është Rimëkëmbja, por nuk nënkupton vetëm rimëkëmbje ekonomike, por rimëkëmbje në gjitha sferat.

“PDK-ja siç e keni parë të gjithë, po hynë shumë mirë e përgatitur dhe e organizuar. Jemi disa hapa para partive tjera që do të marrin pjesë në zgjedhje. Në një afat rekord, jemi partia e parë që kemi propozuar kandidatin për kryeministër, gati me vota unanime brenda kryesisë së partisë dhe organeve. Jemi partia e parë që kemi arritur të dalim në publik me pika konkrete të programit tonë. Motoja e zgjedhjeve të 14 shkurtit për PDK-në do të jetë Rimëkëmbja. Nuk do të thotë se do të fokusohemi vetëm të rimëkëmbja ekonomike. Duke pasur parasysh përballjet që patëm vitin e kaluar, ka nevojë për rimëkëmbje në gjitha aspektet. Rimëkëmbje identitare kombëtare, ekonomike, shëndetësore, sigurisë e diplomacisë së vendit, e çdo aseti shtetëror dhe çdo detaji të shtetit të Kosovës. Motoja Rimëkëmbje nuk e nënkupton ekskluzivisht vetëm rimëkëmbjen ekonomike”, ka deklaruar Musliu. “Keni parë kohën e fundit debati në Kosovë ka degraduar, sidomos te vlerat tona kombëtare. Kemi parë fyerje të mëdha rreth vlerave kombëtare, U{K-së, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës e veteranëve. Kosova ka nevojë të ketë vëmendje të shtuar dhe të mbrojë vlerat e veta. Ta rimëkëmbë edhe këtë pikë. Sepse nuk kemi histori për të humbur. Historia jonë e re po shkatërrohet dita e ditës, duke u baltosur e duke qëndruar inferior nga ata që duhet të mbrohet”.

23:08

Musliu: Në tubime po u bëjmë thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat anti-Covid

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se janë duke zhvilluar takime të shumta me qytetarët dhe njëkohësisht, po i respektojnë masat anti-Covid.

Musliu ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së se janë duke i ftuar qytetarët t’i respektojnë masat dhe kujdesin e tyre përballë pandemisë.

“E kemi të vështirë t’i përballojmë ftesat e takimeve ku organizohen me qytetarë. Janë takime informuese, mobilizuese dhe orientuese për fushatën zgjedhore. Ne jemi munduar në çdo takim të bëjmë thirrje për respektim të masave anti-Covid mirëpo s’mund t’i injorojmë ftesat e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

Ish-deputetja e PDK-së ka potencuar se ajo vazhdimisht mban maskë mirë këtë s’mund t’ua imponojë edhe qytetarëve në takime.

Unë mbaj maskë në shumicën e rasteve, shëndeti im nuk është aspak më i rëndësishëm se i qytetarëve. Në masë maksimale jam kujdesur t’i respektoj masat, ende nuk e kam kaluar sfidën me COVID-19. Kemi pasur raste të rënda dhe të lehta brenda grupi të PDK-së që janë infektuar me koronavirus”, ka deklaruar Musliu.