Arbëri

Kritika për respektim të Ligjit për Zgjedhje, jo edhe të atij për Barazi Gjinore

Përfaqësim jo të barabartë mes kandidatëve ka sërish në listat e partive politike. Për dallim nga burrat, më pak hapësirë u është dhënë grave për garën zgjedhore të 14 shkurtit.

Duke u mbështetur në Ligjin për Zgjedhje, partitë politike kanë përmbushur kuotën e caktuar prej 30 për qind të përfshirjes së tyre. Por Ligji për Barazi Gjinore kërkon që përfaqësimi duhet të jetë i barabartë.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk duhet të certifikojë subjektet politike, të cilat nuk kanë përfaqësim të barabartë në listat e tyre.

“Ligji për Barazi Gjinore obligon të gjitha institucionet, përfshirë edhe KQZ-në, që të implementojë Ligjin për barazi gjinore, prandaj është shkelje edhe nga ana e KQZ-së nëse pranon listat, nëse nuk ka barazi gjinore në lista”, ka thënë Igballe Rugova, drejtoreshë e RRGK-së.

Moszbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore është kritikuar edhe nga “Demokracia për Zhvillim”.

Blerina Ukshini, nga kjo organizatë, thotë se çështjet si kjo duhet të adresohen përmes reformës zgjedhore.

“Ne konsiderojmë që është një përfshirje e pamjaftueshme gratë duhet të kenë një hapësirë të garantuar, të barabartë me burrat, në listat zgjedhore, por edhe gjatë gjithë procesit”, ka thënë Blerina Ukshini, hulumtuese në D4D.

Në Komisionin Qendror Zgjedhor kanë thënë se subjektet, të cilat janë në garë për zgjedhjet e parakohshme, kanë zbatuar Ligjin për Zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zbaton Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, i cili rregullon fushën specifike, pra në këtë rast të zgjedhjeve”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë thirrje për harmonizimin e Ligjit për Barazi Gjinore dhe atij për Zgjedhje.

“Ligji për Barazi Gjinore është i qartë dhe kërkesa për përfaqësim në listat zgjedhore 50/50 është e përcaktuar. Megjithatë, ekziston mungesa e harmonizimit në mes të këtij ligji dhe Ligjit për Zgjedhje. Prandaj në të ardhmen duhet të harmonizohen këto dy ligje. Përfaqësimi në listat zgjedhore i barabartë për të dyja gjinitë duhet të jetë prioritet i të gjithëve e në veçanti të subjekteve politike, ndërsa reagimi i institucioneve të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të shoqërisë civile duhet të jetë më i fuqishëm në afirmimin e kësaj vlere dhe respektimin e së drejtës për përfaqësim të barabartë në listat zgjedhore”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, nga 1 mijë e 81 kandidatë për deputetë, vetëm 362 janë gra.