Arbëri

Vuçiqi pret presion të madh ndaj Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës

Foto: Reuters

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se për Serbinë do të jetë keq që në zgjedhjet në Kosovë më 14 shkurt do të fitojnë forcat politike që qëndrojnë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ai thotë se do të përballet Serbia me një pranverë tmerrësisht të vështirë, një verë e vjeshtë të vështirë.

“Unë pres presion të madh mbi Serbinë. Për ne është shumë e rëndësishme që të përpiqemi ta stabilizojmë Listën Serbe, të ruajmë forcën e saj dhe të përgatitemi për presion të rëndë”, ka thënë Vuçiq në intervistë për televizonin “Prva”.

Ai thotë se në zgjedhjet më 14 shkurt sipas gjitha gjasave do të fitojnë forcat që qëndrojnë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai sërish e ka quajtur liderin e AAK, Ramush Haradinaj, një njeri të rrezikshëm dhe politikan serioz, dhe ai pret që Haradinaj të arrijë koalicion me Albin Kurtin.

“Atëherë do të kishit një koalicion për ‘Shqipërinë e Madhe’. Dhe nëse njerëzit e dinë se çfar lloj “qulli” po përgatitet për Serbinë – atëherë do të dalin me idenë e ‘Shqipërisë së madhe’ dhe do të fillojnë të na shantazhojnë e të insistojnë se një kompromis është që Serbia ta njohë Kosovën”, ka shtuar Vuçiq, duke shtuar se Haradinaj tashmë e ka përmend këtë, por se ai shqetësohet se të huajt mund të vijnë me këtë ide.

Vuçiq po ashtu ka kritikuar opozitën në Serbi.

“Që nga viti 2012 thotë se si do ta pranojë Kosovën dhe se si do të tradhëtojë diçka. Turp të ju vijë, ju i keni lënë ata të rrahin dhe vrasin njerëzit tanë, të shkatërrojnë dhe djegin kryqin në kisha e manastire dhe të djegin vendet e shenjta”, ka thënë Vuçiq, që ka shtuar se lufton sa më shumë edhepse situata është e vështirë.