Arbëri

Në Kosovë s’dihet kur nis vaksinimi, në Bujanoc përfundon brenda 2 muajsh

Pak metra larg Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc po bëhet vaksinimi kundër koronavirusit.

Kati i parë i Fakultetit Ekonomik është shndërruar në qendër vaksinimi.

Nga e enjtja, kur ka nisur ky proces, ka interesim të qytetarëve që të imunizohen.

Të shtunën deri në orën 13:00 u vaksinuan rreth 80 qytetarë. Procesi i pritjes zgjat disa minuta. Secilit qytetar i futen të dhënat në sistemin informativ shëndetësor, ndërsa nga personeli pyeten nëse kanë alergji ose sëmundje autoimune, kategori këto që sipas profesionistëve këshillohen që mos ta marrin vaksinën.

Granit Isufi është doktor i mjekësisë së përgjithshme. Tash e tri ditë ai është duke u marrë me vaksinimin e qytetarëve që paraqiten. Thotë së ka interesim të qytetarëve për t’u vaksinuar. I gjithë procesi, sipas tij, në këtë komunë pritet të përfundojë brenda 2 muajsh.

“Vaksinimi deri tani është duke shkuar në rregull. E para, pacientët hyjnë në sajtin e ministrisë, japin të dhënat e veta dhe pastaj ju vjen mesazhi se në cilën ditë dhe në çfarë ore duhet të paraqiten në punktin që e kemi bërë për vaksinim. Deri tani janë paraqitur në masë të kënaqshme. Ka akoma që janë të interesuar, jemi të kënaqur deri në këto momente”, ka deklaruar Granit Isufi, doktor në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc.

Serbia është një nga shtet e rajonit që ka filluar procesin e vaksinimit. Në nivel vendi, ka kontraktuar disa lloj sosh.

Nga mediat lokale është raportuar se në mënyrë të organizuar po shkojnë edhe kosovarët për ta marrë vaksinën në këtë komunë, por Isufi ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron.

“Nuk është paraqitur ndonjë shtetas legjitim me dokumente të Kosovës të marrë vaksinën këtu. Shtetas të Serbisë me dokumente valide po, ndërsa shtetas të Kosovës jo”, ka pohuar Isufi.

Rreth dy javë më parë vaksinimin kundër COVID-19 e ka nisur edhe Shqipëria.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë së kanë kontratë me kompaninë “Pfizer” për sjelljen e vaksinave, por deri tani nuk kanë arritur ta dëshmojnë se ka kontratë të nënshkruar për këtë çështje.