Edhe pas vendimit të SHSKUK-së që disa reparte të klinikave e të spitaleve të fillojnë me shërbime, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.
Kjo pasi që në këtë spital ende janë duke u trajtuar mbi 35 pacientë të infektuar me COVID-19, teksa hapësira e këtij spitali është e vogël.
“Këto dy javë shihet një rritje edhe ende nuk kemi mundur, për shkak se spitali jonë ka një hapësirë të vogël dhe me rregulloren e fundit i kemi të adaptuar 70 shtretër për regjionin tonë dhe i kemi mbyllë disa shërbime dhe po presim deri të hënën se si po shkon situata dhe në këtë mënyre të fillojmë me procedura për kthimin e disa shërbimeve që kanë qenë të mbyllura, siç janë shërbimet specialistike dhe programet elektive kirurgjikale”, deklaroi Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit të Ferizajt.
Megjithatë, qytetarët nuk janë aspak të kënaqur me shërbimet që i ofron ky spital. Ata drejtojnë kritika të shumta te stafi mjekësor.
“Nuk ka spitale këtu shëndetësia është 0 këtu, shoqja ka qenë këtu mjekët gjysma nuk rrinë në punë, këtu janë motra medicinale 10 ulë nuk dimë çfarë punë bëjnë këtu”, ka thënë Ismet Shijaku, qytetar. “Shërbimet për qytetarë janë të mira por me nejt gati kështu pacientëve këta mjekët vetëm vijnë ja shkruajnë sot edhe nuk vijnë mo me kqyr a ka a s’ka dhimbje”.
Nga SHSKUK-ja, përmes një përgjigjeje me shkrim, është thënë se nga 5 janari i këtij viti kanë filluar punën ambulancat specialistike të QKUK-së, e në spitale.
“SHSKUK ju konfirmon se bazuar në konkluzat nga mbledhja se Komiteti i ShSKUK-së për menaxhim të situatës me COVID-19, nga 5 janar 2021, ka filluar puna në ambulancat specialistike të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme. Të gjithë terminët bëhen vetëm me telefon, me numër të reduktuar të pacientëve, duke respektuar masat anti-Covid. Kurse, klinikat dhe spitalet e përgjithshme e bëjnë planin mujor operativ të ndërhyrjeve kirurgjike elektive, në bashkëpunim me anesteziologët” kanë thënë nga SHSKUK-ja.
Por, një gjendje tjetër është në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, pasi që aty asnjëherë nuk është ndalur puna në reparte të tjera.
“Në Spitalin e Gjakovës ambulancat kanë funksionuar rregullisht, por kanë qenë me numër të reduktuar të pacientëve, por në vitin 2021 janë me kapacitete normale, por duke respektuar masat është duke shkuar më mirë janë rikthyer edhe operacionet”, tha Hilmi Shala nga Spitali i Gjakovës.
Ai tutje tregon se në këtë spital ditët e fundit vërehet një ulje në numrin e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore dhe që janë pozitivë me COVID.
“Trajtimi me pacientët me COVID është duke vazhduar sikur ka qenë edhe muajt e kaluar. Ne jemi duke operuar me 185 shtretër, me ata shtretër që i kemi pasur në funksion të COVID-it. Fatmirësisht kemi ulje të pacientëve që janë pozitivë me COVID, momentalisht i kemi 43 pacientë që janë të hospitalizuar”, shtoi Shala.
Shkaku i rritjes së vazhdueshme të të infektuarve me koronavirus, e që kërkonin trajtim spitalor, SHSKUK-ja që nga muaji prill i 2020-s vendosi që edhe spitalet regjionale të trajtojnë persona të infektuar me këtë virus.