Arbëri

Historiku i rastit “Veteranët mashtrues”

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Sipas Prokurorisë Speciale, rreth 19 mijë “veteranë të rrejshëm”, persona që nuk i plotësonin kriteret ligjore, ishin futur në listat e veteranëve dhe përfitonin pensione nga shteti. Dëmi material i pretenduar deri në ditën e fillimit të gjykimit, në fillim të vitit 2019, ishte rreth 90 milionë euro

Rreth dy vjet prej seancës së parë gjyqësore, është gati për t’u përmbyllur gjykimi në rastin e njohur si “Veteranet e rrejshëm”. Të martën do të vendoset për fajësinë ose jo të të akuzuarve sipas aktakuzës që janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të gjithë këta ishin anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Prokurorisë Speciale, rreth 19 mijë “veteranë të rrejshëm”, persona që nuk i plotësonin kriteret ligjore, ishin futur në listat e veteranëve dhe përfitonin pensione nga shteti.

Dëmi material i pretenduar deri në ditën e fillimit të gjykimit, në fillimin e vitit 2019, ishte rreth 90 milionë euro.

Megjithatë, nisja e gjykimit pati vonuar.

Ngritja e aktakuzës ishte shoqëruar me probleme polemike të shumta.

Prokurori special, Elez Blakaj, ishte dorëhequr, me arsyetimin për presion në këtë proces, por kishte dorëzuar një “draft- aktakuzë” për këtë rast. Si emra të përfshirë në procesin e ngritjes së kësaj aktakuze kishte përmendur ish-shefat e tij, atëkohë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, kolegun e tij të atëhershëm, tash kryeprokuror në Prokurori Speciale, Blerim Isufaj, e kryeprokurorin e shtetit, Aleksander Lumezi.

Në shtatorin e vitit 2018, aktakuza e plotësuar sipas Prokurorisë së Shtetit do të dorëzohej në gjykatë.

Por gjykimi nisi në vitin 2019.

Pak dëshmitarë

Gjykimi i një pjese të ish-krerëve të UÇK-së, që më pas ishin futur në komisionin për verifikimin e veteranëve luftëtarë, është kryer më shpejt së që ishte pritur.

Megjithatë, pjesa më e madhe e të akuzuarve nuk ftuan fare dëshmitarë.

Me vendim të gjykatës, identiteti i dëshmitarëve u ndalua për publikim, mund të përdoreshin vetëm inicialet deri në përfundimin e të gjitha dëshmive.

Dëshmitari i parë ishte komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Ai pati thënë se ishte në dijeni për fryrje të listave.

“Kom pas informacione si krejt tjerët që jonë fry listat. Nuk kemi pasë mundësi t’i parandalojmë që të mos miratohen këto lista”, kishte thënë dëshmitari i parë në këtë proces.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, përmes dëshmisë kishte dhënë sinjale të forta se në këtë proces edhe vetë kishte hetuar dyshime për keqpërdorime.

Ai kishte thënë se ai mban përgjegjësi vetëm për listat e zonës së tij, e jo për listën e përgjithshme pasi, sipas tij, në zonat e tjera nuk i ka njohur personat dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse nuk është nënshkruar në faqen 3 të aplikacionit.

Të tjera dëshmi ishin dhënë në këtë proces.

Shumica e tyre ishte ndaluar të publikoheshin deri në përfundim të procesit gjyqësor, sipas arsyetimit të kryetares së trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj dha dëshminë po ashtu në këtë process.

Ai ishte ftuar në cilësinë e komandantit të Zonës së Dukagjinit.

Haradinaj pati thënë se nuk e dinte për fryrjen e listës së veteranëve, ani pse nga Zona e Dukagjinit, ku qenë ai komandant, sipas aktakuzës, pretendohet që ka më së shumti veteranë të rrejshëm.

“Takoj plot njerëz që kanë qenë në luftë, më thonë që nuk e gëzojnë, por në media kam dëgju se i është njohur statusi i veteranit luftëtar pa meritë, por unë nuk e di. Nëse kisha pasë njohuri do ta kisha denoncu, por kam pa në media se në listat e veteranëve të rrejshëm ka persona që kanë qenë në luftë dhe kjo është degradim i integritetit”, pati thënë ai.

Vetëm në këtë zonë Prokuroria Speciale pretendon së janë 8 mijë “veteranë të rrejshëm” që nuk i plotësonin kriteret ligjore për pensione.

Një tjetër figurë e rëndësishme e UÇK-së e edhe e politikës që ka dëshmuar në këtë proces ishte Sami Lushtaku.

Ai refuzoi disa herë ftesën, por në dëshminë e tij pas disa seancash pati pranuar që në këtë proces mund të këtë pasur gabime.

Pati thënë se si anëtar i Komisionit nuk ka mundur t’i verifikojë aplikacionet e zonave të tjera, mirëpo kishte deklaruar me bindjen e tij personale se ka pasur gabime gjatë verifikimeve.

Spiro Butka, një tjetër figurë e UÇK-së, pati dhënë dëshminë e tij në këtë proces.

Ai pati deklaruar se sipas listave që ka Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, në Tiranë janë gjithsej 176 veteranë nga Shqipëria, mirëpo, siç kishte deklaruar, sipas informacioneve që ka, ky numër tash është mbi 3000 që tashmë kanë marrë statusin e veteranit.

Mbrojtja e komandantëve

Por gjykata jo vetëm që pati ndaluar publikimin e deklaratave të dëshmitarëve, por edhe të akuzuarve.

Mbrojtja e të gjithë të akuzuarve ishte mbajtur sekret deri në përfundimin e dhënies së mbrojtjes së secilit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pranoi në mbrojtjen e tij se e kishte befasuar numri i përgjithshëm i veteranëve.

“Unë mund ta pranoj që për mu edhe për anëtarët e tjerë ky numër ka qenë i papritur, se një numër kaq i madh mendojnë se e meritojnë një status të tillë. Këtu fillojnë vështirësitë dhe dilemat e mia si kryetar i Komisionit se si do ta përmbyllim këtë proces shumë voluminoz”, pati thënë ai kur e paraqiti mbrojtjen.

Çeku ishte shprehur në gjykatore i zhgënjyer me ish-luftëtarët.

“Jam i zhgënjyer se shumë nga bashkëluftëtarët kane bërë veprime të ndryshme me fitu pensione pa pasur nevojë, kanë lëshu punën, kanë mbyll biznese dhe gjëra të tjera. Nuk m’u kanë dok veprime prej luftëtarit“, pati thënë Çeku.

Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe Shkumbin Demaliaj, pjesë e strukturës së lartë të UÇK-së në Dukagjin, e deputet në disa mandate me AAK-në.

Në mbrojtjen e tij ai kishte folur për debatin e tij në Komision për kundërshtimin e barazimit të ushtarëve të UÇK-së me ata të “Vendlindja thërret”.

“Debati ka qenë në Komision lidhur me numrin, aty kam shfaq pakënaqësi se edhe një pjesë që kanë qenë pjesë e fondit ‘Vendlindja thërret’, edhe do brigada që kanë qenë në Shqipëri që kanë qenë të mobilizuara dhe në asnjë moment nuk kanë hyrë në Kosovë dhe ju ka njohtë statusi, kjo ka qenë pakënaqësi e imja, sepse s`ka mundur të jetë i barabartë dikush që asnjëherë s`ka qenë në luftë me ata që kanë qenë në vazhdimësi”, është përgjigjur Demaliaj.

Sadik Halitjaha është pjesë e listës për kandidat për deputet nga PDK-ja, por ka qenë pjesë e Komisionit për verifikimin e veteranëve e pjesë e strukturave të UÇK-së.

“Zhurma e mediave dhe e analistëve ka bo që ky proces të shndërrohet në aferë”, pati thënë Halitjaha.

Të akuzuarit Nuredin Lushtaku, Qelë Gashi, Smajl Elezaj, Xhavit Jashari dhe Fadil Shurdhaj u mbrojtën në heshtje.

Në vitin 2020 ishte planifikuar të përfundonte ky gjykim.

Por përballja me situatën epidemiologjike bëri që pjesa më e madhe e seancave të dështonin.

Vetëm në fund të vitit të kaluar u arrit që të mbaheshin disa seanca ku të akuzuarit dhanë fjalën përfundimtare.

Sipas Prokurorisë, kjo aktakuzë dëshmon “keqpërdorimin tipik të detyrës zyrtare”

Gjashtë të akuzuar në këtë proces, nga dymbëdhjetë sa ishin në total për herë të fundit në paraqitje në këtë gjykatë, ishin mbrojtur në heshtje kur dhanë fjalën përfundimtare.

Nuredin Lushtaku, Qelë Gashi, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Faik Fazliu vendosën të mbroheshin në heshtje.

Pjesa tjetër u deklaruan e dhanë mbrojtjen, por disa nga ta refuzuan në mënyrë kategorike të përgjigjeshin në pyetjet e prokurorëve që kanë përfaqësuar këtë rast pas dorëheqjes së Blakajt.

“Ju mund edhe të më dënoni, por besoni se në atë rast, normal se do të mërzitem për veten, por ma shumë sinqerisht do të mërzitëm për Kosovën se çfarë sistemi të drejtësisë paska, mos e bëni këtë gabim”, pati thënë ish-kryeministri Agim Çeku.

Edhe të tjerë të akuzuar në seancat e fundit kishin kërkuar lirimin.

Por prokurorët e rastit në seancën e fundit janë shprehur të bindur se ish-anëtarët e Komisionit janë fajtorë. Në seancën e fundit ky rast është cilësuar si “shembull tipik i korrupsionit”.

“Është rast tipik që është vërtetuar që personat zyrtarë si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranit nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, dhe personat që nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore kanë përfituar dhe kanë marrë përfitim nga buxheti i Kosovës dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, dhe do të vazhdojë edhe më tutje. Është vërtetuar se pavarësisht kompetencave të përcaktuara me ligj, të pandehurit me dashje nuk kishin marrë përgjegjësitë e caktuara me ligj, por kompetencën me vetëdije e kishin bartur tek personat e tjerë me arsyetimin se ata i njohin më mirë veteranët”, është thënë në fjalën përfundimtare të prokurorit.

Të martën do të marrë epilog në shkallë të parë kjo aktakuzë korrupsioni me dëmin më të madh të pretenduar që nga paslufta.

Kryetare e trupit gjykues është Nushe Kukaj-Mekaj. Ajo është transferuar afro 3 vjet me herët nga Gjykata e Pejës në atë të Prishtinës, ndërsa pak javë para se të përfundojë ky rast ka kërkuar që sërish të kthehet në Pejë me përfundimin e këtij procesi gjyqësor dhe proceseve të tjera që i ka në përfundim.

Kërkesa e ish-prokurorit Blakaj ishte që procesi të shpallej i paligjshëm e veteranët t’i kthenin mjetet.

Çdo gjë të niste nga pika zero.