Arbëri

Gjysmëvjetori i dytë nis sipas skenarit A në tri komuna të rajonit të Prishtinës

Nxënësit e tri komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Obiliq e Fushë-Kosovë) e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë me prezencë fizike në shkolla-sipas skenarit A. Zyrtarët e Arsimit thonë se gjithçka është zhvilluar sipas planit dhe se me kohë e kanë bërë furnizimin e shkollave me dezinfektues e mjete tjera higjienike.

Megjithatë, furnizimi me maska ka qenë problem, pasi jo të gjitha komunat kanë arritur të sigurojnë maska për nxënësit e personelin arsimor. Drejtori për Arsim në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, thotë se punëtorët teknikë kanë qenë të obliguar të bëjnë dezinfektimin e objekteve shkollore me pompat që ua kanë dhuruar më herët.

“Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat sipas planifikimit dhe skenarëve të paraparë. Për këtë periodë i kemi furnizuar shkollat me pompa dhe me mjete përcjellëse ku kanë qenë të obliguara të bëjnë dezinfektimin me punëtorët teknikë. Krejt kjo për ta kursyer buxhetin e varfër të Drejtorisë dhe për t’i orientuar mjetet buxhetore në nevojat më të rëndësishme”, ka thënë Fetahu.

Drejtori për Arsim në Podujevë thotë se sa i përket furnizimit me maska, kanë kërkuar nga drejtorët e shkollave që t’u rekomandojnë nxënësve që maskat t’i marrin me vete nga shtëpia.

“Të gjitha shkollat i kemi furnizuar me dezinfektues dhe mjete tjera higjienike edhe nga komuna, por edhe nga donacioni i UNICEF-it, ndërsa një pjesë e shkollave iu kanë mbetur maska. Ne si komunë nuk i kemi furnizuar me maska pasi që është dashtë me shpallë tender për një furnizim të tillë, por kemi ardhur në përfundim t’i lajmërojmë drejtorët e shkollave që t’iu rekomandojnë nxënësve që çdoherë të marrin maskat me veti, dhe kemi besuar se tanimë vetëdija është ngritur tek nxënësit për ta mbajtur maskën kudo duke përfshirë edhe në shkollë”, ka shtuar ai.

Edhe drejtori për Arsim në Komunën e Obiliqit, Rexhep Zeka, thotë se bashkë me drejtorët e shkollave i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor.

“Në të gjitha objektet shkollore është bërë dezinfektimi si dhe furnizimi i tyre me mjetet mbrojtëse antiCovid-19. Gjatë periudhës së pushimit dimëror, kemi realizuar edhe renovimet e domosdoshme infrastrukturore nëpër shkolla. Gjithashtu e kemi finalizuar aneksin e shkollës në Mazgitin e lartë, nxënësit e kësaj shkolle nga dita e nesërme, mësimin do ta zhvillojnë në një ndërrim dhe në klasë të reja”, ka theksuar Zeka.

Ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve e nxënësve që të respektojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore në funksion të mbrojtjes së shëndetit.

Ndërkohë, edhe drejtori për Arsim në Komunën e Fushë-Kosovës, Islam Shabani, thotë se mësimi në të gjitha shkollat ka filluar sipas skenarit A.

“Në të gjitha shkollat ka filluar mësimi, duke përfshirë edhe çerdhen publike. Në javën e kaluar është bërë edhe dezinfektimi në të gjitha objektet arsimore. Po ashtu, të gjitha kanë edhe material higjienik edhe material dezinfektues. Mësimi ka filluar me praninë fizike në shkolla dhe çdo gjë ka shkuar mirë, sipas skenarit A. Edhe ngrohjet kanë qenë mirë dhe nuk kemi pasur telashe, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë qenë në mëngjes”, ka thënë drejtori Shabani.