Arbëri

Rukiqi: Këtë vit mund të ndryshojnë partitë, por jo gjendja ekonomike

(Ekonomia Online) - Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi, ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2021 pritet të jetë vetëm 3.5 deri në 4 për qind, një ndër shkaqet për këtë është jostabiliteti politik në vend.

Tutje, Rukiqi tha se për këtë vit, prioritet është që të mbahet ekonomia e hapur dhe të mos rritet dëmi ekonomik.

“Edhe një arsye shtesë që është goxha problematike në projeksionet e rritjes ekonomike është jostabilitet politik. Fakti që ne kemi zgjedhje të shpeshta nuk e dimë çka do të prodhojë ky cikël zgjedhor a do të prodhojë stabilitet mirëpo në këto raste na mbetet m’i iu referua shifrave zyrtare dhe diku projeksionet janë 3.5 deri në 4% që mund të ketë rritje ekonomike këtë vit”, shtoi Rukiqi.

Sipas tij, qeveria edhe pse është në detyrë e ka buxhetin dhe mund ta shpenzojë për në përkrahjen e bizneseve.

“Qeveria është në detyrë që ka funksionet bazike përkrahjen për bizneset e cila e ka edhe buxhetin dhe përderisa mund ta shpenzojë buxhetin. Në këso situata qeveria në raport me përkrahjen ekonomike, me vazhdimin e investimeve kapitale mund t’i kryejë detyrat”, ka thënë ai.

Rukiqi theksoi se në këto zgjedhje mund të ndryshojë qasja e qeverisjes në emra të përvetshëm, po ashtu mund të ndryshojnë partitë të cilat e udhëheqin qeverinë, mirëpo jo gjendja ekonomike.

“Nuk pres asgjë të re në raport me këtë që kemi pasur deri tani. Mund të ndryshojë qasja e qeverisjes në emra të përvetshëm mund të ndryshojnë partitë të cilat e udhëheqin qeverinë, mirëpo ne kemi parë që më shumë me interes kanë qenë disa tema populiste dhe nuk e ndryshojnë gjendjen e ekonomisë. Asnjëherë nuk arritëm që të kemi një zhvillim ekonomik i cili gjeneron punësim jo në sektorin publik por në atë privat asnjëherë nuk arritëm që të kemi investime të huaja direkte të cilat do të ishin impakt për rritjen ekonomike”, u shpreh ai.