3 perditesime

Bajrush Kosumi, drejtor për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Vushtrrisë, ka thënë se kjo komunë është prekur nga vërshimet në masë të madhe, teksa shton se prej dekadash nuk ka pasur vërshime të tilla.

21:16

Lajçi: Vërshimet në Prishtinë e Fushë-Kosovë si rezultat i menaxhimit jo të duhur të kanalizimeve

Eksperti i ujërave, Afrim Lajçi, duke iu përgjigjur gjendjes së fundit në Fushë-Kosovë nga vërshimet e krijuara nga reshjet e dendura, ka thënë se janë si rezultat i mungesës së mirëmbajtjes së kanalizimeve.

Sipas tij, komunat, të cilat i kanë përgjegjësi mirëmbajtjen e kanalizimeve, nuk e dijnë një gjë të tillë dhe nuk ndajnë as buxhet për to.

“I pamë në Fushë-Kosovë, ndodh shpesh dhe është rezultat i menaxhimit jo të duhur të problemit të kanalizimit të shiut. Nuk dizajnohet dhe nuk projektohet sistemi siç duhet, por edhe mungon mirëmbajtja e sistemit të kanalizimit të shiut. Kjo është përgjegjësi e komunës dhe ka shumë komuna që nuk e kanë as idenë që e kanë këtë përgjegjësi. Ka komuna që nuk e dinë sepse nuk ndajnë buxhet për mirëmbajtje”, tha ai në DESKU të KTV-së.

Lajçi tha se vërshimet që lanë dëme të konsiderueshme në Fushë-Kosovë e Prishtinë kanë ndodhur jo vetëm për shkak të kanalizimeve, por edhe për shkak të mënyrës së ndërtimit të objekteve.

“Është kombinim i këtyre, kanalizimeve dhe ndërtimit i objekteve, diku mungon krejtësisht sepse nuk punohet fare, diku nuk është i projektuar si duhet. Ka raste, si në Prishtinë ku shpesh është rezultat i mosmirëmbajtjes së duhur të kanalizimit dhe pastaj kemi vërshime e dëme”, tha ai.

21:04

Gashi: Vërshimet, pasojë e mungesës së ekspertëve gjatë hartimit të planeve urbanistike

Mustafë Gashi, udhëheqës i Qendrës Operative pranë Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, vlerëson se menaxhimi i vërshimeve është proces shumë kompleks, porse sipas tij, ato mund të ndalohen deri në një masë.

Gashi i ftuar në emisionin Desku në KTV, në debatin lidhur me vërshimet e fundit në Kosovë, tha se duhet të fillohet qysh tash me një planifikim të mirëfilltë urbanistik

“Aktualisht, në shumicën e rasteve kur të bëhen planet urbanistike mungon eksperti i menaxhimit të emergjencave, që është personi që punon në kuadër të komunës, por nuk përfillet, ky është realiteti. Pse duhet me qenë prezent ai, sepse ai e ka hartën e rreziqeve të komunës së tij dhe ai e di shumë mirë se ku mund të ndërtohet e ku jo, tregon në kuptimin e rrezikshmërisë së tokës, bën apo nuk bën. Nëse ndërtojmë këtu, duhet t'i aplikojmë këto masa, dhe natyrisht masat i përcakton eksperti, gjithçka është e rregulluar në kuptimin e normave ligjore”, ka thënë Gashi.

Ai ka kritikuar institucionet lokale e qendrore për mungesë të planit në shumëçka, përfshirë edhe në ndërtimin e kanalizimeve.

“Për shembull, nivelin e kanalizimeve ne kryeqytet e ki të tillë që nuk mund të përballojë vërshimet si kjo, nuk ka kapacitete. Ndërtohet vend e pavend. Nëse e marrin shembull lumin Sitnica, historikisht dihet që Sitnica vërshon, del nga shtrati dhe nëse nuk intervenon shteti, në kuptimin e përgjithshëm që të caktohen kufijtë e fundit deri ku mund të ndërtohet, atëherë është vështirë”, shtoi Gashi.

20:45

Lajçi: Pa i hartuar planet e menaxhimit të rrezikut, nuk mund t'i parandalojmë vërshimet

Eksperti i ujërave, Afrim Lajçi, njëkohësisht zyrtar në Këshillin ndërministror për ujëra, tha se pa hartuar plane për menaxhimin e rreziqeve, është e vështirë të parandalohet dëmet nga vërshimet, ndërsa thotë se nuk dihet ende se sa janë dëmet e shkaktuara deri tash.

“Pa i hartuar planet e menaxhimit të rrezikut, që saktësisht i përcaktojnë rreziqet, zonat dhe masat, nuk mund t’i menaxhojmë në mënyrë të duhur rrezikun e vërshimeve, në kuptimin e parandalimit”, tha ai.

Lajçi tha se menaxhimi është i përcaktuar mirë sipas ligjit, por se duhet plan se si të veprohet kur paraqiten fatkeqësi të tilla natyrore.

“Në kuptimin e kornizës ligjore është mjaft mirë e përcaktuar dhe në harmoni me BE-në, por në nivel të hartimit të planeve që është bazë për të ditur çfarë të ndërmerret, sigurisht pa e bërë një plan, pa i definuar qartë zonat e rrezikshme dhe masat mbrojtëse, nuk mund të veprohet në mënyrë të strukturuar e të duhur”, tha ai në DESKU të KOHËS.

20:30

Kosumi: Rreth 500 shtëpi të prekura nga vërshimet në Vushtrri

Bajrush Kosumi, drejtor për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Vushtrrisë, ka thënë se kjo komunë është prekur nga vërshimet në masë të madhe, teksa shton se prej dekadash nuk ka pasur vërshime të tilla.

“Komuna e Vushtrrisë është shumë e prekur nga vërshimet kemi pasë një pjesë e qytetit që është përmbytë. Prej viteve 79 nuk ka ndodhë vërshime si kësaj here. Janë të prekur së paku 500 shtëpi, pa përmendë edhe disa fshatra që janë prekur. Kemi dëme të konsiderueshme, ka me qindra hektarë tokë bujqësore ende në ujë, njerëz janë dalë nga shtëpitë, disa po përpiqen të kthehen por ende ka ujë”, tha ai.

Kosumi në DESKU të KTV-së tha se nuk ka pasur problem me strehim të qytetarëve, ndërsa thotë se edhe pse kanë ngritur dy pika strehuese, qytetarët që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, nuk kanë shkuar atje, por kanë zgjedhur të afërmit.

“Ka probleme me strehim, kemi reaguar, i kemi bërë dy pika për strehim. Nuk ka pasë nevojë që të evakuohen atje njerëz por kanë shkuar tek të afërmit e tyre”, tha ai.

Ai e sheh të pamundur që kësaj situate t’i dilej përballë, për shkak të nivelit të lartë të vërshimeve që kanë ndodhur.

“Në komunën tonë ka qenë e pamundur t’i dilet përballë këtij vërshimi që ka qenë. Ndoshta një parandalim ka mund të ndodhë por me këtë shi ka qenë e pamundur t’i dilet përpara”, ka thënë Kosumi.