Arbëri

10 zotimet e shkruara Kurti – Osmani [dokument]

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe iniciativës së Vjosa Osmanit përmban 10 zotime i pari nga të cilët është vettingu në sistemin e drejtësisë dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Palët zyrtarizuan sot marrëveshjen, me liderin e VV-së, Albin Kurti që do të jetë kandidat për kryeministër, e Osmanin kandidate për presidente. KOHA ka siguruar marrëveshjen që përmban të listuara zotimet, e që u nënshkrua të enjten në mesditë në Kuvendin e Kosovës.

Palët janë zotuar që rimëkëmbja ekonomike të jetë prioritet, në rast se fitojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ata janë zotuar për pajtim mes palëve për emrat që do t’i udhëheqin institucionet, për rishikim të përfaqësimit në shërbimin diplomatik e synim të arritjes së përfaqësimit të barabartë gjinor në Qeveri dhe institucione tjera.

Mes tjerash në dokument zbulohet për herë të parë edhe logoja e iniciativës së Osmanit.

Dokumenti: 

Zotimet mbi parimet e bashkëpunimit

Të vendosur për luftimin e pakompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar si parakusht thelbësor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend;

Të bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më premtuese për të gjithë kur qytetarëve u garantohen të drejta të barabarta, investohet në arsim e shëndetësi, si dhe kur interesat e qytetarëve janë në qendër të politikbërjes në vend;

Të zotuar që Kosova të jetë vend ku të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre dhe qytetarët të gëzojnë mirëqenie të mirëfilltë dhe jetë me dinjitet;

Të fokusuar në luftimin e pandemisë dhe të përkushtuar për adresimin e pasojave ekonomike me qëllim të rimëkëmbjes;

Të përkushtuar për zgjerimin e bashkëpunimit politik afatgjatë në nivel qendror dhe lokal;

Palët zotohen për:

1. Prioritizim të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë me vettingun si pjesë integrale të këtij procesi, si dhe vendosmëri të plotë drejtë luftimit të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

2. Prioritizim të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, duke i orientuar investimet dhe planifikimin buxhetor kah sektori i shëndetësisë, mbrojtja e mjedisit, digjitalizimi, investimi në kapital njerëzor, nxitja e prodhimit vendor me qëllim të përqafimit të një koncepti zhvillimor ekonomik të qëndrueshëm inovativ.

3. Përkushtim të plotë që personat që do të udhëheqin dikasteret qeveritare të jenë të kualifikuar, kompetent dhe me integritet dhe se do të ketë pajtim në mes të palëve lidhur me emrat që do t’i udhëheqin këto dikastere bazuar në kriteret e mësipërme.

4. Rishikim dhe miratim të legjislacionit vendor si dhe zbatim me përgjegjësi të reformave të nevojshme në përputhje me standardet evropiane me qëllim të integrimit të Republikës së Kosovës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

5. Angazhim për përfaqësim të unifikuar dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

6. Respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mos mbështetje të asnjë nisme që cenon rregullimin kushtetues, integritetin territorial, parimin e unitaritetit të shtetit dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

7. Rishikim të përfaqësimit dhe organizimit të shërbimit diplomatik me qëllim të përfaqësimit të dinjitetshëm të vendit në nivel ndërkombëtar;

8. Ruajtje dhe kultivim të aleancave me partnerët ndërkombëtarë dhe investim në zgjerimin dhe avancimin e aleancave të tashme dhe të ardhshme;

9. Synim të arritjes së përfaqësimit të barabartë gjinor në qeveri dhe në institucionet e tjera;

10. Vendimmarrje me konsensus dhe marrëveshje paraprake për proceset strategjike në vend.

Dokumenti i plotë:

Image