4 perditesime
21:28

Shasha: Qytetarët do të votojnë vetëm për liderin që përfaqëson ndryshimin

Demush Shasha nga Instituti Epik ka thënë se qytetarët do të votojnë për atë lider që e përfaqëson ndryshimin.

Sipas tij, në këtë kontekst, liderët që o të shfaqen atë ditë në fletëvotime të gjithë janë provuar përveç Albin Kurtit të Vetëvendosjes.

“20 vjet kanë kalu dhe nuk kemi një fond për sigurime shëndetësore. Mendoj që qytetarët e kanë mendjen e prerë se çfarë do të bëjnë më 14 shkurt sepse gjithçka që ka ndodhur në këto 14 vite nuk është një model që është më e mira se çfarë mund të ofrojë skena politike në Kosovë”, ka thënë ai.

21:23

Miftaraj: Qeveria shkeli standardet e veta me emërimin e sotëm të drejtorit të Policisë

Ehat Miftaraj i IKD-së ka folur për vendimin e Qeverisë në detyrë për të emëruar drejtorin e ri të Policisë së Kosovës.

Miftaraj në DESKUN e KOHËS ka thënë se Qeveria po i shkel parimet dhe standardet që i ka ndërtuar vet me emërim të tillë. Samedin Mehmeti sot është emëruar drejtor i Policisë së Kosovës, ndërsa e zëvendëson Rashit Qalajn në këtë pozitë. Mehmeti kishte qenë ushtrues detyre i kësaj pozite që kur u shkarkua Qalaj. Rasti i shkarkimit të Qalajt është në gjykatë e po shqyrtohet masa e sigurisë.

“Janë disa dispozita që përcakton se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të iniciojë procedura të konkurseve publike, që emërohen nga kryeministri, nga Qeveria apo konkurse që kërkojnë votën e Kuvendit apo dekretimin e presidentit. Z. Hoti, edhe pse e kishte miratuar vet këtë projektligj, kishte proklamuar praktika, standarde, parime të mira të qeverisje. E ai prej muajit gusht filloi me shkarkimin e drejtorit të doganës, Policisë, ATK-së. Më pas drejtori i ATK-së u kthye nga një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës, që emërohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Këshilli gjeti se Qeveria kishte bërë shkelje me shkarkimin e z. Murtezaj. Hakmarrja e Qeverisë është në atë se më 21 dhjetor Këshilli e ktheu në punë Murtezajn, e tri ditë më vonë ministrja Hykmete Bajrami e LDK-së inicon procedurë disiplinore pranë Këshillit të Lartë të Displinës ku kryetar caktohet Z. Agim Veliu, po ashtu i LDK-së. Brenda një afati të shkurtër, tre ditë që kur u kthye në punë, Murtezaj u pezullua dhe u caktua një ushtrues detyre”, ka deklaruar Miftaraj. “ E kemi rastin e drejtorit të Policisë, një kohë kur Qeveria është në detyrëm e rasti i shkarkimit të drejtorit paraprak është në gjykatë e po shqyrtohet masa e sigurisë, vet kjo Qeveri që ka ndërtuar standarde, vet i ka ndërtuar ato se nuk duhet të emërojë apo procedura të rekrutimit të pozitave të tilla, e njëjta e shkel këtë parim e me urgjencë e zgjedh drejtorin e Policisë”.

20:56

Shasha: KQZ-ja duhet të rishikojë vendimin për diasporën, duhet ta bëjë më të lehtë

Njohësi i politikës së jashtme, Demush Shasha, konsideron se KQZ-ja duhet të rishikojë vendimin e saj për të telefonuar votuesit kosovarë jashtë vendit, si mënyrë konfirmimi ata të kenë aplikuar për votim përmes postës elektronike.

Shasha, nga instituti EPIC, tha në emisionin DESKU, se gjithë kjo procedurë që duhet të ndjekin kosovarët jashtë vendit, është komplekse dhe e panevojshme.

“Barra është mbi KQZ-në që të arsyetojë pse nuk ka pasur opsione të tjera. Sidoqoftë, konsideroj se vendimi duhet të rishikohet me qëllim të lehtësimit të votës së diasporës në formën sa më të mirë të mundshme. Të hapësh një email, të dërgosh një email, të kujdesesh që të kthehet një formë konfirmimi, që të sigurohesh që numri është i saktë, që të mbash telefonin afër... janë procedura aq kompleks për mërgatën”, tha Shasha.

20:48

​Miftaraj: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është pa hile

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se Kushtetuta e Kosovës i ka dhënë mandat Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve me Kushtetutën.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese i ka ndërruar rolet dhe ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Kushtetutës me nenin 29 për Ligjin për Zgjedhjet.

Ai thotë se një gabim i tillë nuk mund të jetë i paqëllimshëm.

“Unë e kuptoj që ne atë Gjykatë kanë shkuar persona që nuk kanë punuar në çështje të drejtësisë, por besoj që së paku kjo gjykatë ka një ekip të ekspertëve, këshilltarëve ligjorë që mund të them që janë top në të gjitha institucionet e Kosovës dhe janë ata që përgatisin por ata në fund të fundit nuk janë që vendosin. Në këtë drejtim padyshim që mënyra sesi është hartuar ky vendim ka një hile të madhe”, ka thënë ai.

Sipas tij, hile e madhe në vendime të tilla është bërë jo vetëm me Albin Kurtin por edhe me Sami Lushtakun.

“Ai një muaj më herët u dënua më 12 mijë euro me gjobë. Si Kurti ashtu edhe Lushtaku e Albulena Haxhiu, në bazë të këtij vendimi u kufizohet e drejta për të kandiduar”, ka thënë ai.

Miftaraj ka thënë se ka ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka propozuar që Kurti dhe të gjithë qytetarët Kosovës duhet a sfidojnë PZAP, KQZ, Gjykatën Supreme e atë Kushtetuese.

Sipas tij, në listat e tyre zgjedhorë partitë duhet t’i kenë edhe personat e akuzuar në tri vitet e fundit.

20:28

Miftaraj: Partitë duhet të përfaqësohen në KQZ me ekspertë të fushës

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, vlerëson se partitë politike do të duhej të përfaqësoheshin me ekspertë të fushës në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, gjë që sipas tij, në këtë kohë nuk është praktikë.

Ai në një intervistë në emisionin DESKU në KTV, tha se kur një vendim në KQZ kalon pa debat, atëherë është e natyrshme që të sjellë pasoja, deri edhe te mohimi i të drejtës së votës.

“Unë besoj që KQZ-ja, 11 anëtarët që përfaqësojnë partitë politike do të duhej të ishin ekspertë, sepse në fund të fundit në KQZ do të duhej të përfaqësoheshin partitë me ekspertë të fushës, të specializuar qoftë në procesin zgjedhor, qoftë në legjislacionin e aplikueshëm. Dhe kur këta 11 persona e kalojnë me lehtësi një vendim të tillë dhe pa debat, sigurisht që kjo tregon atë që e kemi thënë gjithmonë, se kemi institucione të papërgatitura, të cilat me një vendim të tillë mund të kufizojnë apo edhe t'ua mohojnë qytetarëve të drejtën e votës. Kjo praktikë, besoj, se do të sjellë shumë vështirësi”, tha Miftaraj.