Arbëri

Shefi i Nëndegës së AAK-së në Cyrih punësohet në Konsullatë

Parafushata e partive politike i ka prekur edhe misionet diplomatike, ku anëtarë të këtij shërbimi kanë “ndezur motorët” në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Partia që udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme e ka vënë në funksion të rehatimit të partiakëve edhe Konsullatën e Kosovës në Cyrih. Burime të ndryshme kanë konfirmuar për KOHËN se kryetari i Nëndegës së AAK-së në Cyrih, Betim Qorraj, është punësuar në fillim të këtij viti si asistent ekzekutiv në Konsullatë.

Edhe pse një burim ka thënë se për këtë pozitë ka pasur konkurs, ai nuk ka qenë i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime për punësimin e anëtarit të AAK-së në Cyrih dhe nëse janë respektuar procedurat ligjore.

KOHA nuk ka arritur të vërë kontakt as me Betim Qorrajn.

Më shumë se dy javë pas emërimit të tij në këtë pozitë, AAK-ja njoftoi për hapjen e Nëndegës së saj edhe në Cyrih të Zvicrës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Kryetar u zgjodh Betim Qorraj, që paraprakisht ishte sistemuar në Konsullatë, kurse nënkryetar Esat Halilaj e Isuf Gradina, ndërkaq Bashkim Sefaj sekretar.

“Duke parë që AAK-ja çdoherë është e hapur për të rinjtë dhe të gjithë ata që duan të jenë pjesë e vizionit tonë, bashkatdhetarët në Zvicër kanë hapur Nëndegën e Aleancës edhe në Cyrih. Të dielën dhjetëra aktivistë kanë mbajtur mbledhjen e parë duke zgjedhur edhe njerëzit adekuatë për të vepruar në këtë shtet”, thuhet në njoftimin e 19 janarit. “Të mblidhemi së bashku është një fillim. Të qëndrojmë së bashku është përparim. Të punojmë së bashku është sukses”, ishte motoja e tyre.

Misioni konsullor në Cyrih udhëhiqet nga Sami Kastrati, derisa pjesë e stafit janë edhe tetë punonjës të tjerë. Pozitën e njëjtë me atë të Qorrajt e ka edhe Arton Jusufi.

Në Cyrih jeton një komunitet i madh i shqiptarëve, votat e të cilëve i synojnë partitë politike.

Kushtetuta dhe ligjet me të cilat funksionon Shërbimi i Jashtëm imponojnë distancë mes aktivitetit partiak dhe atij në misionin diplomatik.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm në nenin 32 kërkon që anëtarët e këtij shërbimi të pezullojnë aktivitetin në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës në Shërbimin e Jashtëm.

“ 1. Nëpunësi i Shërbimit të Jashtëm ka për detyrë:...1.5. të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës në Shërbimin e Jashtëm”.

Edhe në të kaluarën fushata e partive i ka mobilizuar shumë diplomatë të Kosovës.

KOHA ka raportuar se në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 një pjesë e tyre kanë braktisur detyrat me të cilat i ka ngarkuar shteti dhe janë vënë në shërbim të aktiviteteve që partitë politike i zhvillonin në prag të zgjedhjeve.

Shërbimi i Jashtëm vuan nga politizimi i skajshëm. Militantë partiakë jashtëligjshëm bëhen pjesë e Shërbimit, e madje pajisen edhe me gradat më të larta.