Arbëri

Gjermania ia dhuroi Shqipërisë 970 doza të vaksinës “Pfizer”

Descriptive Text

Vaksina anti-COVID, e cila po përdoret prej dy ditësh në Shqipëri, është dërguar më 11 janar 2021 nga Gjermania për në Shqipëri dhe është transportuar “dorazi” nga Aeroporti i Rinasit deri në Institutin e Shëndetit Publik(ISHP).

Një ditë më parë kryeministri Rama në konferencën me gazetarë, para fillimit të procesit të vaksinimit, e ka lënë mister vendin, i cili i ofroi Shqipërisë 970 dozat e para të vaksinës “Pfizer”.

“Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një vend të Bashkimit Europian, të cilin nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili vend është, dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre vetë. Vendi që na ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet. Si t’ua shpjegoj këtë unë. Sigurisht që në një ditë të caktuar, shpresoj që unë ta them dhe ta falënderoj atë vend para gjithë shqiptarëve. Por ka kërkuar konfidencialitet. Këtë e kërkojnë të gjitha vendet. Edhe tri vendet e tjera me të cilat jemi afër kanë kërkuar konfidencialitet. Pse? Për një arsye të thjeshtë. Nëse një vend e bën këtë për Shqipërinë, nuk dëshiron që 10 vende të tjera t’i thonë bëje dhe për ne. E bën për Shqipërinë. Pse e bën për Shqipërinë? Nuk më takon mua ta them, por një nga arsyet është se ‘keni Edi Ramën kryeministër’”, deklaroi të hënën kryeminstri Edi Rama para gazetarëve me rastin e fillimit zyrtarisht të procesit të vaksinimit kundër COVID-19.

Por nuk kanë kaluar veçse 24 orë dhe është zbuluar vendi që ia dhuroi Shqipërisë vaksinën “Pfizer” dhe ky vend është Gjermania. Vaksina ka kaluar përmes Doganës së Rinasit dhe është marrë në dorëzim nga Instituti i Shëndetit Publik(ISHP). Vaksina “më delikate” deri më sot, është transportuar deri në Rinas, ndërkohë që në dokumentacion thekson se ajo është “tërhequr dorazi” nga autoritetet shqiptare.

Në dokumentacion bie në sy se vendi i prodhimit të vaksinës është Gjermania, më saktë fabrika “PFIZER BioNTECH MANUFACTURING GMBH, GERMANY”. Ndërkohë që pjesa tjetër e produkteve, holluesit dhe shiringat, si dhe substancat shoqëruese kanë adresën e shtetit fqinj të Italisë.

Në dokumentacion theksohet se nga Gjermania është nisur një kuti me vaksina, e cila në total ka 970 dozat e para. Nga dokumentacioni bie në sy fakti se marrësi i kutisë së vaksinave, në këtë rast Instituti i Shëndetit Publik, ka paguar vetëm një euro për të tërhequr porosinë nga Gjermania.

Në dokumentacionin e Doganës së Rinasit theksohet se nga Gjermania është nisur një kuti me vaksina, e cila në total ka 970 dozat e para. Nga dokumentacioni bie në sy fakti se marrësi i kutisë së vaksinave, në këtë rast Instituti i Shëndetit Publik, ka paguar vetëm një euro për të tërhequr porosinë nga Gjermania

Ndërkohë, Ambasada gjermane në Tiranë nuk pohon dhe as mohon dërgesën e vaksinave për Shqipërinë, dozat e së cilës mbërritën më 11 janar në këtë vend nëpërmjet Aeroportit të Rinasit. Ambasada thekson se Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pandemisë së COVID-19 e angazhuar dhe në mënyra të ndryshme. Më tej thuhet se Shqipëria po mbështetet me një paketë prej 10 milionë eurosh.

“Ambasada nuk disponon deri tani informacione të mëtejshme në lidhje me vaksinën e dërguar më 11 janar 2021. Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pandemisë së COVID-19 e angazhuar dhe në mënyra të ndryshme. Kjo ka ndodhur (dhe po ndodh ende) përmes dhurimeve materiale dhe trajnimeve në fushën mjekësore, ndihmës së drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë të popullatës dhe përmes një pakete prej më shumë se 10 milionë eurosh, ndër të tjera për këshillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për riorganizimin gjatë krizës, si dhe financimin shtesë te Rural Credit Guarantee Foundation”, thuhet në reagimin e Ambasadës. Zakonisht vaksina të tilla transportohen me kamionë të posaçëm pasi kërkojnë temperatura minus 70 gradë.

Opozita në Shqipëri ka kërkuar informacion dhe transparencë për një çështje kaq sensitive, siç është vaksinimi anti-COVID. Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, e ka quajtur nisjen e procesit të vaksinimit si një shfaqje të shëmtuar propagande të kryeministrit Edi Rama. Spahia ka ngritur dyshime për mënyrën si ka ardhur vaksina në Shqipëri, ndërkohë që shton se ky proces duhet të jetë transparet për qytetarët.

“Në kushte normale, fillimi i vaksinimit duhej të ishte lajm i mirë për çdo qytetar. Në kushte normale të funksionimit të një shteti, pasi ajo që pamë dje ishte shfaqje e shëmtuar propagande e kryeministrit dhe grupit të tij. Në fakt, dje si asnjëherë tjetër doli një vello misteri që mbulon gjithë procesin e ardhjes së vaksinave. Ka mungesë totale transparence, shifrave konkrete të vaksinave në Shqipëri, mënyrës si u soll, mënyrës së ruajtjes në kushte optimale. Nuk ka transparencë mbi pasjen ose jo të një kontrate të mirëfillte me një kompani për numër të caktuar vaksinash, nëpërmjet një plani strategjik për vaksinim. Dyshoj mbi mënyrën që ka ardhur vaksina dhe llojin e vaksinës”, tha Spahia.