Arbëri

Osmani: Në dialog s’mund të shkohet pa pasur Qeveri legjitime

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë vizitave që ka pasur sot në institucionet e Bashkimit Evropian ka diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo ka thënë se as nuk do të duhej të pritej që do të ketë lëvizje në këtë proces gjatë këtij një muaj e gjysmë për shkak që sipas saj “nuk mund të flitet për legjitimitet të Qeverisë për momentin për të negociuar për shkak të shkeljeve kushtetuese gjatë zgjedhjes së saj e as për përfaqësuesit që do të mund t’i dërgonte Qeveria”.

Ajo ka thënë se nuk po qëndron atje për të negociuar për procesin e dialogut por për të folur për përkushtimin e plotë për të ecur drejt procesit të integrimit evropian.

“E që në dialog t’i mbrojnë ato që janë në interes të vendit tonë pore dhe gjithë rajonit, sepse duke eliminuar ide të rrezikshme qysh ka qenë ajo e kufijve ne e kemi mbrojtur interesin e gjithë rajonit dhe jo vetëm Kosovën. Por në të njëjtën kohë për ta sqaruar se kushdo që e përfaqëson Kosovën në Bruksel duhet të ketë legjitimitet, sepse nuk mund të mjaftojnë vetëm fotografi nëse nuk mund të implementohen marrëveshjet në vendin tonë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se pas pret që institucionet e reja pas zgjedhjeve, përveç që do ta kenë fuqinë dhe legjitimitetin e votës qytetare do ta jenë të forta ta përfaqësojnë interesin e Kosovës në këtë proces.

“Nuk duhet të kushtëzohet vota me një telefonatë”

Osmani tutje ka folur edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit që do të mbahen në Kosovë si dhe procesin e verifikimit të votave të mërgatës.

Ajo ka thënë se e ka kritikuar vendimin e djeshëm të KQZ-së pasi me një vendim të tillë cenohet e drejta e votës.

“Nuk njoh ndonjë vend tjetër në botë që e drejta e votës të kushtëzohet me një telefonatë. Është krejtësisht në rregull që telefonata të jetë mjet shtesë që ndihmon në verifikim, por jo të jetë arsye për të ja humbur dikujt të drejtën e votës sepse këtë nuk e lejon as Kushtetuta jonë e as normat demokratike në BE. Për shkak të rrezikut se një vendim i tillë i KQZ do të mund të keqpërdorej kjo ka qenë arsyeja pse u jam drejtuar KQZ që të rishqyrtohet një vendim i tillë”, ka thënë ajo.

Ajo ka njoftuar se bashkë me zyrtarë të BE-së ka diskutuar rreth përgatitjeve që po bëhen dhe për rekomandimet që i ka dhënë BE në raporti e fundit për zgjedhjet e vitit 2018.

“Për fat të keq për shkak të periudhës tepër të shkurtë që e kishte kjo legjislaturë ka qenë e pamundur që të bëhen ndryshimet e nevojshme në kodet zgjedhor sepse kërkohet më shumë kohë që ato të modifikohen. Por është e domosdoshme që pasi të krijohen institucionet e reja të merren parasysh këto rekomandime të Komisionit Evropian”, ka thënë ajo.