5 perditesime

Një pjesë e madhe e të prekurve nga COVID-19 edhe pasi kalojnë në kategorinë e të shëruarve, mbesin me pasoja të ndryshme në organizmin e tyre.

21:03

Kurtishi: Koronavirusi i rrezikon më tepër pacientët me kancer

Onkologu, Ilir Kurtishi, ka thënë se koronavirusi e ka efektin pothuajse të njëjtë me virusët e tjerë tek pacientët me kancer.

Ai në Raport të KTV-së ka deklaruar se pacientëve me kancer, koronavirusi mund t’ua rrezikojë edhe më tepër shëndetin.

“Virusi i sars-Covid-19 e ka efektin e njëjtë me viruset në përgjithësi te pacientët me kancer, sidomos një impakt ka ky pasi është virus i ri dhe ju bën probleme më të mëdha pacientëve të cilët vuajnë nga kanceri dhe janë në trajtim me kimioterapi”, ka deklaruar Kurtishi.

Ai ka bërë të ditur se sipas hulumtimeve, pacientët me kancer futen në kategorinë e katërt apo pestë që mund të pësojnë nga koronavirusi.

20:50

Bajraktari: Pacientët me sëmundje të tjera janë më të rrezikuar nga koronavirusi

Kardiologu kosovar, Gani Bajraktari, ka deklaruar se pacientët me sëmundje të tjera, janë më të rrezikuar që të preken me koronavirusin dhe pasojat mund të jenë më të mëdha.

Ai në Raport të KTV-së ka thënë se pacientët me sëmundje kardiovaskulare e kanë situatën më të rënduar për faktin se infektimi me COVID-19, e shkakton një lloj traume dhe lirime të proteinave inflamatore që e gjejnë organizëm të papërgatitur.

“Këta pacientët kanë një situatë të rënduar edhe pa Covidin dhe realisht, infeksionin me COVID-19 shkakton një lloj traume dhe lirime të disa proteinave inflamatore që quhen citokina dhe ajo stuhia e tyre, e gjen të papërgatitur këtë organizëm që ka një barrë”, ka thënë ai.

Sipas Bajraktarit, pacientët që janë të infektuar me COVID-19 dhe kanë sëmundje të tjera, mund të përjetojnë edhe rënie të shtypjes së gjakut, duke e pamundësuar punën e rregullt të zemrës

“Pacientët e infektuar kanë edhe rënie të shtypjes së gjakut që e thellon pamjaftueshmërinë e zemrës, e thellon gjendjen e keqe të këtyre pacientëve, pastaj këta pacientë, kanë edhe çrregullime ritmi të ndryshme dhe si çdo pacientë të tjerë, kanë koagulime që mund të shkaktojnë mikrotromboza dhe rëndime të situatës”, ka potencuar ai.

Mostrajtimi i duhur i problemeve kardiovaskulare sipas Bajraktarit, është ndër shkaqet që disa nga pacientët e humbin betejën me koronavirusin.

20:37

Thaqi: Rreziku nga koronavirusi varet nga shkalla e ndezjes së tij

Pulmologu Shpëtim Thaqi, ka deklaruar se rreziku nga koronavirusi varet nga shkalla e ndezjes së tij. Shkallët e lehta apo të rënda, sipas tij janë ato që e përcaktojnë gjendjen e pacientit.

“Në kuadër të simptomave afatgjate që pacientët i kanë pasi të kalon kjo sëmundje, theksohet te sistemi respirator sikur që janë dhembja e gjoksit, kolla, dhembja të nyjës dhe ndjesi të frymënxënies. Ajo çka duhet të theksohet është se pasojat e tilla apo simptomat, nuk kanë nevojë të shqetësohen përderisa aspekti laboratorik është i qetë dhe rentgeni apo fotografimi është në kondita normale. Simptomat e tilla gradualisht eliminohen. Këto janë simptome afatgjate, më të shpeshta tek pacientët që e kalojnë koronavirusin dhe kjo është arsyeja kryesore pse këta pacientë vazhdimisht vijnë për të marrë rekomandime dhe ndihmë mjekësore”, ka deklaruar Thaqi në Raport të KTV-së.

Ai ka shtuar se pacientët me shkallë më të rënda të sëmundjes kanë më tepër komplikime gjatë tejkalimit të koronavirusit.

“Në kuadër të komplikimeve të tjera që njihen janë edhe dëmtimet akute te veshkët që janë më të rralla në krahasim me komplikime pulmonale. Pastaj mund të zhvillohen komplikime të tjera që njihet në literaturë si dermatologjike, neurologjike, që këta pacientët kanë mbamendje më të zvogëluar, çrregullime ankthi etj”, ka thënë ai.

20:31

Rexhepi fton ekspertët e shëndetit mendor të japin kontributin gjatë pandemisë

Drejtori i Qendrës së shëndetit mendor, Sami Rexhepi, ka bërë të ditur se ka apeluar që njohësit e shëndetit mendor të angazhohen për dhënien e kontributit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ai në Raport të KTV-së ka deklaruar se ekspertët duhet angazhuar në mënyrë që pandemia të kalojë me më pak dëme dhe probleme në aspektin mendor.

“Ne kemi bërë si institucion për shëndet mendor punën tonë mirëpo më ndryshe do të ishte sikur nga fillimi me ekipet kishin ekspertët, sikur ekspertët e shëndetit mendor të ishin konsultuar më tepër me mediat”, ka shtuar ai.

Për rrezikun e izolimit, Rexhepi ka thënë se kjo ka shkaktuar një frikë tek qytetarët dhe bizneset për shkak të humbjeve të mëdha.

“Kur të kalon pandemia, ne ende nuk e kemi zbuluar një strategji që ta kuptojmë se cilat janë problemet me të cilat do të ballafaqohemi. E kemi një grup të madh të psikologëve që janë të papunë. Ne e kemi një ushtri të tërë të shëndetit mendor që mund ta japin kontributin mirëpo mjerisht, nuk ka ndonjë strategji për funksionalizimin e potencialit që e ka”, ka thënë ai.

20:26

Rexhepi: Çrregullimet mendore gjatë pandemisë janë të ngjashme me ato të luftës

Drejtori i Qendrës së shëndetit mendor, Sami Rexhepi, ka deklaruar se pandemia e koronavirusit është duke u përcjell me probleme dhe çrregullime të ndryshme mendore.

Ai në Raport të KTV-së ka deklaruar se mbaresat nervore po manifestohen me humbje të shqisave, shijes dhe nuhatjes, duke shtuar se ka probleme edhe dëgjimin.

“Ajo çka do të jetë më keq është se po pres që të zhvillohet një çrregullim pas stresit traumatik që do të jetë në formë kronike për shkak të zgjatjes për shkak të formës se si ka qenë kjo pandemi. Kohëzgjatja do të sjell çrregullime pas stresit traumatik është njësoj si një periudhë e luftës”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka potencuar se çrregullimet e tilla janë pothuajse të njëjta me ato të periudhës së luftës, mirëpo në atë kohë, armiku ishte i njohur dhe i dukshëm.

“Në një aspekt, gjatë luftës së 99-s, e kemi parë policinë dhe ushtrinë, e kemi parë armikun. Ndërsa kjo pandemi ka qenë njësoj një luftë e cila ka rrezikuar vetë ekzistencën biologjike, e cila e ka atakuar shumë shëndetin mendor dhe ka qenë një armik i padukshëm ashtu që besoj se do të ballafaqohemi pas përfundimit të pandemisë”, ka shtuar Rexhepi.

“Pas pandemisë, do të jetë puna më e madhe me ekspertët e shëndetit mendor dhe do të jetë një numër shumë i madh i personave që do ballafaqohen me probleme”, ka thënë tutje.

20:14

Virusi i paparashikueshëm

Një pjesë e madhe e të prekurve nga COVID-19 edhe pasi kalojnë në kategorinë e të shëruarve, mbesin me pasoja të ndryshme në organizmin e tyre.

Plogështi, marramendje e mungesë koncentrimi janë vetëm disa prej shkaqeve që po i vuan edhe Besim Kodra, ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj qëkur është shëruar nga COVID-19.

Ai, për emisionin Raport në KTV, tha se koha sa ishte i infektuar nuk i shkaktoi aq shumë komplikime shëndetësore, sa koha pas shërimit nga infektimi.

“Kam qenë nga personat që kanë pasur pak simptoma, por problemet kanë vazhduar, si me pjesën e ankthit. Kanë kaluar katër muaj gati, por kam ende probleme me koncentrim e harresë”, tha Kodra.

Kodra shton që ka pasur të afërm që pos që kanë vuajtur virusin, barnat u kanë kushtuar shumë shtrenjtë.

Ndonëse virusi në shumicën e rasteve nuk lë pasoja te personat në moshë më të re, në disa raste ka përjashtime.

Sabrie Mehmeti është 35-vjeçare.

Janë bërë më shumë se 2 muaj prej se ajo është duke u trajtuar në QKUK, fillimisht nga COVID-19, e më pas nga komplikimet që u shkaktuan si pasojë e koronavirusit.

Driton Mehmeti, vëllai i saj, thotë se gjatë kohës sa ajo ishte në Klinikën Infektive, sfidë për ta ka qenë sigurimi i oksigjenit.

“Për shumë familje, sfida kryesore është furnizimi me oksigjen në shtëpi. Motra ime ka qenë për tri javë në Infektivë, por kur e kanë liruar nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë pa oksigjen. Pas shumë përpjekjeve e kemi siguruar një bombolë, por nuk kishin ku ta mbushim. Në fund, jemi detyruar ta mbushim në një kompani që nuk është e licencuar”, ka thënë Driton Mehmeti.

Ai thotë se motra e tij vazhdon ende të trajtohet për problemet që ia ka shkaktuar virusi.

Që nga 13 marsi kur janë konfirmuar rastet e para me koronavirus, si pasojë e tij kanë vdekur mbi 1.300 persona.

Përderisa më shumë se 53 persona janë infektuar deri më sot.

E numri i të shëruarve është mbi 46 mijë.