Arbëri

Shqipëria nën ujë, mijëra hektarë tokë bujqësore të përmbytura

Tiranë, 10 janar - Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka dhënë shifra zyrtare lidhur me dëmet nga mot i keq që ditët e fundit ka prekur të gjithë territorin e vendit. Por lajmi i mirë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes është se jugu dhe rajoni qendror i Shqipërisë paraqesin një situatë drejt normalizimit, teksa edhe Lezha në veri të vendit ka një përmirësim të dukshëm. Ndërsa qarku i Shkodrës është në monitorim të vazhdueshëm ku ka aktualisht gjithsej 4 mijë e 80 hektarë të përmbytura dhe asnjë familje të evakuuar. Në Pukë ka 3 banesa të pabanueshme. Ndërkaq, aksi rural Bogë-Qafë Thore është i bllokuar dhe i pakalueshëm. Në Lezhë lumi Drin është ulur 70 cm nga kuota kritike, teksa janë evakuuar 28 familje. 2 mijë e 850 hektarë tokë vijojnë të jenë nën ujë në gjithë qarkun e Lezhës. Nga ana tjetër prej rrëshqitjes së dherave 6 banesa janë të pabanueshme në Lezhë e 2 në Mirditë.

“Forcat e Armatosura(FA) të Republikës Shqipërisë po mundësojnë lëvizjen e banorëve me mjete lundruese dhe mjete të larta. Gjithashtu FA po transporton pakot ushqimore nga Rezervat e Shtetit, drejt zonave të prekura. Të gjitha hidrovoret në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës funksionojnë me kapacitet të plotë. Në Shkodër nuk ka asnjë familje të evakuuar, ndërkohë që janë përmbytur 4080 ha tokë. Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës 3 banesa janë bërë të pabanueshme në bashkinë Pukë. Aksi rrugor rural Bogë-Qafë Thore është i bllokuar, i pakalueshëm, ka rreth 1m borë. Rruga e fshatit Dardhë, bashkia Fushë Arrëz është shembur rreth 60-70 metra (që më dt. 31.12.2020) duke e bërë rrugën të pakalueshme. Në qarkun Lezhë lumi Drin është ulur 70 cm nga kuota kritike, ndërkohë që janë evakuuar 28 familje. 2850 ha tokë në këtë qark është nën ujë.

Nga rrëshqitjet e tokës 6 banesa janë bërë të pabanueshme në Lezhë dhe 2 të tjera në Mirditë. Rruga Gallat-Minjollë në Milot dhe rruga pranë lumit Drojë janë të bllokuara.600 pako ushqimore janë shpërndarë në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Në qarkun Durrës janë evakuuar 8 familje, ndërkohë që 20 banesa janë përmbytur dhe ka prezencë uji. Sipërfaqe nën unë janë 520 ha. 300 pako ushqimore janë shpërndarë në këtë qark në Durrës, Krujë dhe Shijak. Në Pukë, problem mbetet aksi nacional Kryqëzim Hadroj-Gjegjan – Mirditë, ku ka shembje të vazhdueshme gurësh dhe dherash, ndërsa rruga është nën juriduksionin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Si pasojë e rrëshqitjeve akset rrugore rurale të pakalueshme janë akset, Mardhnaq-Meqe, Buhot- Kabash, Gjegjan- Sherraj. Nga reshjet e dendura, edhe niveli Shkumbinit është rritur ndjeshëm, ndërsa ai ka dalë nga shtrati në fshatin Mirake. Nga ky lumë, janë të rrezikuar disa biznese.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Pogradec, Toc të Poshtëm, Moglicë, Maliq dhe Pustec, ku lumenjtë Devoll dhe Dunavec kanë prurje të mëdha.Në qarkun e Korçës shumë zona kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, ndërsa më problematike mbeten disa zona të Ersekës, Vithkuqit dhe Lekasit. Nga ana tjetër, në Dibër më shumë se 13 fshatra janë bllokuar tërësisht prej 3 ditësh në Njësitë Administrative Zall Dardhë dhe Reç, pasi përrenjtë dhe lumenjtë atje kanë dalë nga shtratet. Në Kukës, Has e Tropojë, reshjet e shiut dhe të dëborës kanë shkaktuar probleme në shumë zona, kryesisht rurale. Të dielën në Tropojë ka 15 cm dëborë, në Has 10 centimetër, Shishtavec 5 cm dhe Qafë Shllak 10 cm. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile ndodhen në zonat e prekura në Shkodër dhe Lezhë për të koordinuar nga afër situatën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës Shqipërisë. Intensiteti i shirave dhe situata e krijuar ka nxjerrë në terren edhe krerët e politikës në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka qenë në Lezhë e Shkoder për të monitoruar situatën me përmbytjet. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili bëri një pasqyrim të situatës në vend, ku më problematike është lagjja Varosh. Rama shprehu gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar familjet që u janë dëmtuar banesat ndërkohë që shtoi se edhe pse niveli i reshjeve ka qenë tepër i lartë, dëmet nga përmbytjet janë shumë të vogla falë ndërhyrjeve të bëra në infrastrukturën kulluese, duke e krahasuar me përmbytjet e 2010 .

“Sikur të mos kishim bërë gjithë atë punë, do të ishin mijëra familje të evakuuara, siç ndodhi në atë përmbytjen e 2010-s. Mbrëmë pas gjitha të dhënave, fola dhe me drejtorin e KESH-it, dhe pashë që intensiteti i reshjeve ishte shumë më i madh. Kur vjen një intensitet i tillë reshjeve, jo ne, po as Gjermania apo Parisi nuk ka çfarë bën”, deklaroi Edi ramë në Lezhë.

Fshati Obot, në Shkodër, i njohur historikisht si zona më kritike në kohë reshjesh intensive për shkak të pozicionit nën kuotë, nuk u ka shpëtuar as këtë vit problematikave për shkak të reshjeve. Me gjithë fluksin e lartë të reshjeve, që ende vazhdojnë, sidoqoftë është siguruar qarkullimi me mjetet e ushtrisë dhe furnizimi i banesave me ndihmë ushqimore. Dy situata krejtësisht të ndryshme evidentoi Kryeministri Edi Rama, gjatë ndalesës në Obot, ku risolli në kujtesë përmbytjen shkatërrimtare në vitin 2010. Në informacionin e paraqitur nga ekspertët për situatën aktuale, gjendja përshkruhet e qëndrueshme dhe e menaxhueshme në aspektet kryesore. Kryeministri Rama ritheksoi se krejt ndryshe nga përmbytja e janarit 2010, kur me më pak reshje sesa e këtij viti u evakuuan nga banesat mbi 10 mijë njerëz, sot, situata vazhdon të jetë nën kontroll dhe dëmet janë minimale.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informoi se “100% e kërkesave për pako ushqimore e ndihma janë plotësuar. Është shumë pozitiv mirëmenaxhimi i Kaskadës, sepse sot që po flasim nga ky mirëmenaxhim, Fierza punon me porta të mbyllura dhe ka akoma rezervë që ta kalojmë këtë periudhë reshjesh intensive pa hapur portat e Fierzës. Vau i Dejës ka shkarkime normale, rreth 700 metër kub për sekondë. Ky mirëmenaxhim na ka bërë që të mos kemi skenarë si ai i vitit 2010”. Edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha, është ndalur në Shkodër për t’u njohur me situatën. Pasi u njoh me dëmet Basha e vlerësoi situatën të rëndë, duke kërkuar marrjen e masave nga ana e shtetit, duke filluar që nga transparenca e asaj çfarë po ndodh.