Arbëri

VV-ja me Osmanin, LDK-ja me AKR-në, PDK-ja në diskutime me Nismën

Descriptive Text

Një javë kohë u ka mbetur partive politike që të përmbyllin listën e kandidatëve për deputetë, me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Më pak ditë atyre, gjithsej katër, u kanë mbetur për të arritur marrëveshje me partitë me të cilat synojnë të hyjnë në koalicion. Deri më tani, asnjë nga koalicionet nuk është zyrtarizuar, derisa në diskutime janë disa të tilla. Vetëm AAK-ja ka konfirmuar se në zgjedhje do të hyjë e vetme, derisa nuk hedh poshtë asnjë nga partitë e tjera për koalicion paszgjedhor

Prishtinë, 8 janar - Garës së 14 shkurtit, shumica e partive politike nuk do t`i hyjnë të vetme. Ndonëse deri më tani nuk është konkretizuar ndonjë koalicion parazgjedhor, një gjë e tillë pritet deri të martën, më 12 janar, kur edhe përfundon afati për regjistrimin e tyre. Sipas një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afati i aplikimit për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje mbyllet në orën 18:00, më 16 janar.

Prej partive politike, në garë si e vetme do të hyjë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ahmet Isufi nga kjo parti thotë se pas zgjedhjeve janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet e tjera, varësisht nga rezultati që do të shënojnë.

“Ne jemi deklaruar që nuk kemi vija të kuqe ndaj partive politike, sepse në qeverisje i shohim si partnerë dhe normalisht që në të ardhmen do ta përcaktojë vota se kush me kë do ta bëjë koalicion, prandaj nuk kemi preferenca paraprake, përkundrazi ne synojmë qeverisjen e vendit”, ka thënë Isufi, i cili është shprehur i bindur se AAK-ja do të shënojë rritje në këto zgjedhje, krahasuar me ato të 2019-s.

KOHA është informuar se përkundër kërkesës, e gatshme për të hyrë në koalicion me Nismën nuk është Partia Demokratike e Kosovës. Sipas burimeve, përkundër dy takimeve që janë mbajtur deri më tani, PDK-ja ende nuk i ka kthyer përgjigje Nismës. Për të konfirmuar një gjë të tillë, gjatë së premtes KOHA ka kontaktuar me zyrtarët e të dy partive, por përgjigjet nga ta kanë munguar.

Garës së 14 shkurtit nuk do t’i futet e vetme Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga Aleanca për Kosovën e Re kanë konfirmuar se deri të hënën pritet të zyrtarizohet marrëveshja mes tyre. Fatmir Matoshi nga kjo parti, thotë se marrëveshja për koalicion parazgjedhor mes këtyre dy partive do të konkretizohet më së largu të hënën, më 11 janar.

“Lidhur me bashkëpunimin, kryetari i AKR-së është duke zhvilluar diskutime me kryetarin e LDK-së. Kjo nuk është hera e parë e bashkëpunimit mes nesh, siç e dini ne kemi mbështetur edhe Qeverinë Hoti, edhe pse nuk kemi qenë në koalicion. Janë duke u diskutuar idetë e përbashkëta për programin. Deri më tani nuk ka ndonjë çështje që mundet me ndiku në mosarritjen e një marrëveshjeje për koalicion parazgjedhor. Më së voni deri të hënën pritet me u konkretizu marrëveshja”, ka thënë Matoshi.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga zyrtarë të saj këtë të premte. Jozyrtarisht ka mësuar se brenda dy ditësh kjo parti do të mbledhë kryesinë e saj për të vendosur lidhur me përbërjen e listës.

Në anën tjetër, përkundër deklarimeve, ende nuk është konkretizuar mënyra e bashkëpunimit mes Vetëvendosjes dhe iniciativës së Vjosa Osmanit. Sipas Glauk Konjufcës, anëtar i Kryesisë së VV-së, Osmani ka shprehur vullnetin e saj se do të bashkëpunojë me LVV-në.

“Ka një lloj reciprociteti mes VV-së dhe Vjosa Osmanit që të ketë bashkëpunim që nuk e përjashton kandidimin tonë në një listë të përbashkët”, ka thënë Konjufca.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, secili kandidat i subjekteve politike do të verifikohet paraprakisht. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se janë gjithsej gjashtë institucione të cilat do ta bëjnë një gjë të tillë.

“KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në Ministri të Jashtme dhe në Ministri të Mbrojtjes për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë Elezi.

Sipas planit të KQZ-së, procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të përmbyllet deri më 20 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 14 shkurt. Shpalljen e tyre e ka bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë në fund të muajit dhjetor konsideroi se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë joligjore, pasi në votimin e saj mori pjesë deputeti Etem Arifi, i dënuar me burgim.