Deri në një javë duhet të presin qytetarët nga diaspora për termin për vulë apostile. Kjo kohëzgjatje e marrjes së terminit, si thonë ata, po u nxjerr telashe.
“Prej datës 19 me këto dokumente merrem. Kështu që do të ishte mirë nga Qeveria ose nga organet kompetente që janë, t'i ngutim procedurat ose të punojnë në orar pak më të gjatë shkaku i mërgimtarëve--që (ata) të mos e humbin as punën, po edhe fëmijët në shkollë kanë filluar më datën ditën e djeshme”, deklaron qytetari Mefail Toska.
“Do të duhet të ishin procedura shumë më të thjeshta. Javën e kaluar radhë, e hënë e e martë, gjykata t'i refuzon, t'i kthen vulat. Këtu të thotë hajde prit termin. Bashkatdhetarët i kanë kohët e caktuara tash ne duhet të (merremi me terminë) për ta”, thotë qytetari Genc Rrecaj.
“Sot kam ardhur. Tentova nesër ta lë terminin. Do të vi nesër një javë këtu. Do të duhej më shpejtë sepse janë duke i vonuar shumë”, ka shtuar qytetari Besart Berisha.
Për ta marrë terminin, ata duhet të presin në radhë para MPJD-së, pasi që sistemi i caktimit elektronik të tyre nuk është funksionalizuar.
Në nëntor të vitit 2020, MPJD-ja kishte lidhur kontratë për menaxhimin e sistemit të vizave në vlerë prej 30.000 eurosh, me kompaninë “Altima” SHPK, ku përfshihen edhe terminët online.
Kompania thotë se arsyeja e mosfunksionimit të tij qëndron te serveri, që ende nuk i është dhënë nga Ministria.
“Shërbimet e mirëmbajtjes së vizave janë që nga dita e parë. Ndërsa funksionalizimi i aplikacionit është në fazën finale për funksionalizim të plotë. Demo prezantimi nga ana e kontraktuesit është realizuar, Autoriteti Kontraktues (AK) ka konfirmuar pëlqimin me demo. Arsyeja e mosfunksionalizimit të plotë ndërlidhet me infrastrukturën, konkretisht me ofrimin e serverit nga ana e AK-së. Jemi në kontakt me ekipin e IT-së së MPJD-së dhe sipas planifikimit brenda 10 ditësh do të konkretizohet funksionalizimi i aplikacionit, me ç’rast qytetarët do kenë mundësi t’i bëjnë terminët në formë elektronike”, thuhet nga kompania Altima Shpk.
Kanë kaluar tre muaj qysh kur është lidhur kontrata, ndërsa ajo ka kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.
Tash e dy ditë KOHA i ka dërguar pyetje MPJD-së lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.