Arbëri

Pronarëve të ullishteve në Ulqin u lejohet të futen në pronat e tyre pas 43 vjetësh ndalesë

Me ndërrimin e Qeverisë në Mal të Zi, është arritur te një drejtësi që shumë qytetarë të Ulqinit, shumica shqiptarë, e kanë pritur tash e 43 vjet.

Me vendim të Qeverisë së Malit të Zi, të firmosur nga politikani shqiptar, Dritan Abazoviq, që është zv.kryeministër, pronarëve të ullishteve në Valdanos, do t’u lejohet të futen dhe të punojnë pronat e tyre, shkruan të martën gazeta “Vijesti”.

Drejtori i Administratës për Prona, Blazho Sharanoviq, ka thënë se më nuk ka pengesa dhe se me respektim të procedurave të parapara me ligj, pronarët do të mund t’u qasen pronave të tyre për pastrim dhe rregullim të rrjetëzimit. Por ende nuk ka leje për korrje të ullinjve.

“Sa i përket korrjes së ullinjve, Administrata për Prona ende nuk ka mundësi të ligjore të japë pëlqim”, ka thënë Sharanoviq.

Sipas tij, Administrata ka vepruar në përputhje me vendimin e Qeverisë të datës 4 janar.

Shoqata e pronarëve të këtyre parcelave, vitin e shkuar iu drejtua me një letër Abazoviqit, teksa ende nuk ishte në pushtet.

"Besoj se ky është vetëm hapi i parë i cili do të dërgojë drejt vënies në vend të të gjitha padrejtësive, të cilat kanë penguar Valdanosin dhe qytetarët e Ulqinit”, ka thënë Abazoviq, politikan nga Ulqini.

Pa ullinj dhe prona në Valdanos, pronarët kanë mbetur më 1978. Atëbotë bëhej fjalë për 204 familje, kurse sot mendohet të jenë rreth 600.

Prona u ishte marrë për ndërtimin e një baze ushtarake, e cila nuk është ndërtuar kurrë.

Një metër katror u ishte paguar pronarëve si kompensim 1.07 dollarë, kurse një rrënjë ulli 59.7 dollarë. Sipas ekspertëve, vlera e sotshme është: 44 euro një metër katror, kurse 417.5 euro një rrënjë ulli.

Komisioni komunal dhe ai regjional më herët kishin refuzuar kthimin e pronave tek ata qytetarë që kishin pranuar kompensimin më 1978. Këtë e kishte vërtetuar edhe Gjykata Supreme e Malit të Zi.