Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas një lajmi të transmetuar në KTV e në të cilin është tematizuar vazhdimi i praktikës së gradimeve të jashtëligjshme nga kryediplomatja Meliza Haradinaj.
Në reagim Ministria ka theksuar se presioni politik medial nuk do të ketë sukses në pengimin dhe rikthimin e ligjshmërisë në këtë institucion, si dhe në marrjen e vendimeve në interes të Shërbimit të Jashtëm dhe interesit strategjik të Kosovës.
Ministria i është referuar vetëm pjesës së raportimit për gradimin e Valëza Oruqit.
“Znj. Valëza Oruqi është graduar mbi procedurën e rregulluar me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, Neni 21, Nr. 03/L-122, si dhe bazuar në rekomandimin e Komisionit për Grada dhe Disiplinë, sipas raportit Nr.ref.10/2018, të datës 12.03.2018 (Pika 110).
Komisioni për Grada dhe Disiplinë rekomandon vetëm një herë për Gradë të njëjtë, dhe jo dy apo tre herë siç është aluduar në artikullin e Kohës”, thuhet në demantin e MPJ-së.
Komisioni i Pavarur për Media e ka obliguar KTV-në që ta publikojë reagimin, rreth gjashtë muaj pas transmetimit të stories. Ky institucion nuk ka gjetur asnjë pasaktësi në storie, por ka theksuar se në bazë të paragrafëve 1 e 2 të nenit 10, të Kodit të Etikës, duhet mundësuar reagimi.
Megjithëkëtë, KOHA mbetet pas qëndrimit se storia u është përmbajtur standardeve që i promovon Kodi i Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale.
Para transmetimit të stories KOHA ka adresuar pyetje në Ministri, por nuk ka marrë përgjigje. Pas transmetimit kjo Ministri ka reaguar.
Nëpërmjet stories ishte raportuar për rikthimin e praktikës së gradimeve të jashtëligjshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në të ishte treguar se si ministrja Meliza Haradinaj pati firmosur vendime për ngritje në gradë pa pasur mbështetje në ligj, e njëkohësisht kishte pezulluar vendimet e ish-ministrit Glauk Konjufca, që kërkonin kthimin e dhjetëra diplomatëve në Prishtinë, përfshirë familjarë të politikanëve. Shoqëria civile e pati kritikuar këtë qasje të vjetër të ministres së re.