Arbëri

KQZ-ja kërkon të shfrytëzohet afati maksimal për shpalljen e zgjedhjeve

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka kërkuar që të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues për shpalljen e datës për zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo është kërkuar nga Daka me qëllim që KQZ-ja të organizohet në mënyrë më të duhur. Organizimin e zgjedhjeve ajo e ka quajtur si mjaft sfidues.

“Pas situatës së krijuar pas aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ne jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet janë të pashmangshme. Ne do të presim datën e shpalljes së zgjedhjeve, por kisha dashur t’u vihet parasysh institucioneve relevante që të shfrytëzohet afati maksimal i dhënë kushtetues për datën e shpalljes së zgjedhjeve, sepse kemi festat shtetërore para nesh. Ne ende nuk e kemi një buxhet të alokuar, as të aprovuar me sa e di unë, kështu që do të jetë goxha e sfidueshme gjithë kjo situatë, sidomos për faktin që jemi në prag të festave kur e dimë që asnjë institucion praktikisht nuk punon dhe ne do të mbetemi i vetmi institucion, i cili do të jetë në detyrë në ditët në vijim”, ka deklaruar Daka, përcjell Kosovapress.

Anëtarët e tjerë të KQZ-së kanë diskutuar në këtë mbledhje lidhur me krijimin e aplikacionit që do ua mundësojë mërgimtarëve të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se aplikacioni do ia lehtësonte punën edhe KQZ-së derisa ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sami Hamiti, ka thënë se çështja e krijimit të aplikacionit është duke u trajtuar në komisionet e Kuvendit të Kosovës.