Arbëri

Gashi: Drejtësia vetënënshtrohet ndaj politikës

Descriptive Text

Hulumtuesi nga Intituti i Kosovës për Drejtësi, Leotrim Gashi, i cili së fundmi ka punuar për raportin “Politikë e kriminalizuar”, ka thënë se drejtësia i vetënënshtrohet politikës. Kjo, thotë ai, për shkak të dënimeve minimale që drejtësia i ka dhënë 216 politikanëve për 298 aktakuzave që janë ngritur ndaj tyre për 12 vjet, e që ndryshe do të ishin dënimet për veprat e njëjta të kryera nga qytetarë të thjeshtë.

“Fakti që kemi aktakuza të dështuara dhe dënime minimale tregon se drejtësia nuk është e drejtë siç duhet të jetë. Drejtësia vetënënshtrohet ndaj politikës. Kur nuk kontribuon skena politika që subjektet të mos ketë persona që i është cënuar integriteti pasi ka një aktakuzë, drejtësia do të ishte më e lirë”, tha ai në Express Intervistë të KTV-së.

Gashi thotë se lidhja politikë-drejtësi e cënojnë njëra tjetrën kur një politikan akuzohet, pasi seanca gjyqësore shpesh mund të shtyhet për shkak të obligimeve që një deputet mund të ketë në Kuvend.

Ai tha se janë mbi 60 për qind të rasteve kur kanë dështuar aktakuzat ndaj politikanëve, teksa tregon të dhënat e nxjerra nga raporti.

“Në të dhënat që i kemi siguruar, nga shpallja e pavarësisë deri 31 maj 2020, rezulton se 216 politikanë janë akuzuar për vepra të ndryshme penale, këta kanë prodhuar 298 aktakuza. Ndonjëri pra mund të ketë më shumë se një aktakuzë., janë mbi 130 persona që kanë dy e më shumë aktakuza. I bie që skena politike në Kosovë vazhdon të jetë e kriminalizuar marrë parasysh se shumica e personave që janë akuzuar janë në nivele të larta drejtuese. Janë 55 zyrtarë politikë që i takojnë profilit të lartë, janë të akuzuar për vepra të korrupsionit dhe vetëm 3 nga ta janë dënuar por kanë qenë minimale, dënim me kusht apo gjobë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Gashi tregoi se ndaj politikanëve gra janë ngritur 31 aktakuza që nga viti 2008.

“Politikanet gra i kanë 31 aktakuza. Janë vepra penale, numri më i madh ia aktakuzave është sepse janë akuzuar më shumë gjatë hedhjes së gazit lotsjellës por ka edhe për korrupsion”, përfundoi ai.