Arbëri

Ende pa vaksinë, MSH-ja fillon procedurat për ndërtimin edhe të një spitali për COVID

Në kohën kur shtetet e rajonit dhe ato të botës kanë filluar ta vaksinojnë popullatën e tyre kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë planifikon të ndërtojë edhe një spital për trajtimin e personave pozitivë me këtë virus.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se në planifikimet buxhetore parashihet të bëhet adaptimi i objektit të papërfunduar i Klinikës Emergjente të QKUK-së për trajtimin e personave me COVID-19.

“Në shtator, pas rekomandimeve të Komisionit për gjetjen e mundësive apo hapësirave të reja spitalore për pacientët me COVID dhe pas konsultimeve me Avokatin e Popullit, është caktuar kjo klinikë për t’u adaptuar për COVID. Janë zhvilluar procedurat për përzgjedhjen e kompanisë projektuese dhe mbikëqyrëse, ndërkohë që janë përgatitur edhe termat e referencës për tenderin për kompaninë që do të bëjë adaptimin e saj. E tenderi për fillimin e ndërtimit të këtij spitali ka filluar para 3 ditësh”, ka thënë Zemaj.

E, në anën tjetër, Kosova ende nuk ka arritur ta sigurojë vaksinën kundër këtij virusi.

Megjithëkëtë, ministri Zemaj, në një prezantim të punës së dikasterit që drejton, ka thënë se në fillim të këtij muaji Kosova ka aplikuar për sigurimin e kësaj vaksine në Aleancën Globale të Vaksinave, GAVI.

Mbi 300 mijë vaksina Kosova pritet t’i marrë falas, përderisa pjesën tjetër do ta blejnë.

“Fillimisht janë planifikuar 360.000 vaksina, të cilat Kosova do t’i marrë falas, ku do të vaksinohet rreth 20% e popullatës. Gjatë 2021-s planifikohet të bëhet vaksinimi masiv i popullatës deri në 50%. Përderisa gjatë dy vjetëve të ardhshëm planifikohet të bëhet edhe vaksinimi i pjesës tjetër të mbetur të popullatës”, ka shtuar Zemaj.

E, brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjeve me SARS CoV-2 dhe 215 raste pozitive me COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 50.620 raste nga 179.402 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.309 raste të vdekjeve.

Përderisa rreth 80 doza të vaksinës anti-COVID Qeveria e Serbisë ua ka sjellë serbëve në Kosovë, për vaksinimin që ka filluar që nga e premtja.