Prishtinë, dhjetor (KosovaPress) - Që nga viti 1999 de deri më tash llogaritet se diaspora ka dërguar në Kosovë mbi 40 miliardë euro në mënyra të ndryshme.
Ky kontribut i diasporës, nga ekspertët ekonomik, zhvillohet si shumë i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe social në Kosovë.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka treguar se vetëm sivjet remitencat nga bashkatdhetarët arrijnë në rreth 800 milionë euro apo 13 për qind më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë për KosovaPress, se diaspora ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e qëndrueshmërisë shtetërore të Kosovës.
“Llogaritet se në mënyrë direkte, indirekte dhe periferike, diaspora ka dërguar më tepër se 40 miliardë euro dhe po e shihni se sa qenka i rëndësishëm kontributi i diasporës. Në qoftë se kemi pasur një buxhet të miratuar në parlamentin e Kosovës, dihet së me tepër se 50 për qind kanë shkuar për shpenzime paraprake për paga dhe mëditje. Ndërsa, pjesa tjetër ka qenë e destinuar për keqpërdorim dhe për tenderomani. Pra, kush e ka ruajtur stabilitetin ekonomik dhe social në Kosovë përveç diasporës. Prandaj, besoj që meriton një konsideratë dhe respekt më të madh. Ndërsa, në vitin 2020 kur kemi tkurrje të të hyrave në doganë, në ATK e kemi vërtet një mbështetje enorme të diasporës ku kanë ardhur pothuajse 800 milionë euro. Flasim për dërgesa në mënyrë direkte, por duhet kuptohet që kontributi më i madh i diasporës për Kosovën ka qenë qëndrimi i tyre në Kosovë gjatë pushimeve të verës dhe të dimrit”, thotë ai.
Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se rimëkëmbja më e madhe ekonomike janë mbi 100 mijë bashkëatdhetarë sa kanë ardhur në Kosovë.
“Vetëm qëndrimi i tyre, afër 100 mijë mërgimtarëve në Kosovë në festat e fundvitit e ka të paktën trefishin e rëndësisë që ka një pako emergjente e miratuar me vonesë, e politizuar, e amortizuar çfra ka qenë ajo në parlamentin e Kosovës e propozuar nga Qeveria”, ka shtuar Gërxhaliu.
Guvernatori i BQK-së, Mehmeti, ka treguar se remitencat kanë shënuar rritje për afro 13 për qind.
“Një faktor që ka ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës kanë qenë remitencat nga diaspora, të cilat në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore vazhduan rrjedhën e vazhdueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 12.9 për qind”, tha Mehmeti.
Në bazë të një raporti të fundit nga Instituti GAP “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”, thuhet se në kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh.
“Diaspora ka ndikim në ekonominë e Kosovës qoftë përmes remitencave, investimeve të huaja direkte (IHD), dërgimit të gjësendeve për familjet e tyre apo edhe përmes shpenzimeve që i bëjnë gjatë vizitave në Kosovë”, thuhet në raportin e Institutit GAP.
Sipas raportit një pjesë e madhe e investimeve në patundshmëri në Kosovë bëhen nga diaspora. Siç tregon edhe anketa e kryer nga UNDP, mbi 35% e diasporës janë përgjigjur se investojnë në Kosovë, kryesisht në blerjen e patundshmërive për përdorim personal (60%) dhe investim në biznese familjare (23%).