2 perditesime
Arbëri

Krasniqi: Për dialogun duhet të ketë konsensus

Jeta Krasniqi e KDI-së ka vlerësuar se Kuvendi në Qeverinë Hoti nuk ka qenë produktiv, duke e marrë parasysh se kishte vetëm 61 vota dhe një nga deputetët, Etem Arifi, ishte në burg.

23:28

Krasniqi: Për dialogun duhet të ketë konsensus

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se për dialogun duhet të ketë konsensus.

“Në momentin kur doli në pah çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe në skenën politike të brendshme në Kosovë pati zëra të ndryshëm dhe partitë politike nuk ishin të gatshme që të flitej për këtë çështje dhe thanë që ishte e mbyllur. Që në atë moment u pa që dialogu kishte hyrë në një fazë tjetër dhe kërkohej që brenda Kosovës të ndërtohej një konsensus politik në mënyrë që të shtyhet përpara”, ka thënë Krasniqi. “Është e vërtetë që pati diskutime në nivel teknik, në atë të negociatorëve, kryenegociatorëve apo të shefave të delegacioneve siç janë quajtur të z. Skender Hysenit dhe nga pala tjetër që ka zëvendësuar Gjuriqin për çështjen e pretendimeve financiare dhe pronësore, por pritej që në fakt në Kosovë të kishte një konsensus i cili do të rreshtohej përreth kryeministrit, apo që do ta mbështeste kryeministrin politikisht në mënyrë që procesi të ecte përpara”.

Ajo ka shtuar se me vendimet e Dhomave të Specializuara, aktakuzave të cilat u ngritën ndaj ish-krerëve të UCK-së, ish-presidentit, ish-shefit të PDK-së dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, pamë që edhe brenda koalicionit qeverisës kishte qëndrime të ndryshme.

“AAK-ja mendonte që procesi duhet të ndalonte të mos ecte përpara, dhe dukej që kryeministri Hoti mbeti ai që ishte i gatshëm që ta shtynte përpara procesin, por që duhej një mbështetje politike. Që nuk e kishte, sepse nuk i vinte as nga partnerët e koalicionit”, ka thënë Krasniqi.

23:19

Krasniqi: Mosmiratimi i buxhetit shtyn Kosovën drejt fazës së emergjencës

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës, ka paralajmëruar mundësinë e një krize të pakaluar deri më tash nga Kosova.

Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2021 me kohë dhe zgjedhjet e paralajmëruara për në fillim të vitit mund të bëjnë që pas 31 marsit, Kosova të “bllokohet financiarisht”.

Ajo në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se zgjedhjet si proces në tërësi mund të marrin shumë kohë.

“E para duhet të caktohen zgjedhjet, në momentin që shkojmë vitin e ardhshëm pa një buxhet të miratuar në Kuvend, atëherë jemi një fazë të emergjencës. E dimë që deri më 31 mars mund të shtyhet me 1\12, në mënyrë automatike, pastaj vjen prilli dhe nuk kemi buxhet e mund të bëhet një krizë institucionale. Pastaj jemi edhe pa precedent dhe nuk dihet se si do të veprohet”, ka thënë Krasniqi.

Ajo tha se jo vetëm mbajtja e zgjedhjeve mund të marrë shumë kohë. Sipas saj, edhe certifikimi, pastaj koha për ndërtim koalicionesh kërkojnë kohë.

“Është më se e nevojshme që të paktën këto çështje të adresohen, por iu mbetet partive politike”, shtoi ajo.

23:16

Krasniqi: Kuvendi nuk ishte produktiv

Jeta Krasniqi e KDI-së ka vlerësuar se Kuvendi në Qeverinë Hoti nuk ka qenë produktiv, duke e marrë parasysh se kishte vetëm 61 vota dhe një nga deputetët, Etem Arifi, ishte në burg.

Ajo ka thënë se në vazhdimësi është parë mungesë kuorumi në Kuvend dhe është dashur me muaj të tërë për të shtyrë para si Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike apo rishikimin e buxhetit.

“Kjo Qeveri ende është Qeveri fuqiplotë, pasi ende nuk ka dal aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk i është dërguar palëve. Por gjithsesi, epilogu i kësaj Qeverie po dihet, vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje e do të kemi Qeveri të re. Nëse shihet kjo Qeveri nga fakti se i kishte 61 vota, e Etem Arifi ishte në burg, aty ishin edhe dhjetë vota të Listës Serbe, që dukej se herë bashkëpunonte e herë jo. Në vazhdimësi ajo kishte bojkotuar mbledhjet e Qeverisë dhe Kuvendit. U pa që në fillim se kjo Qeveri nuk e kishte shumicën e nevojshme për të shtyrë para ligjet e nevojshme, programin e saj qeverisës. Dhe ajo çfarë pamë ishte në vazhdimësi mungesë kuorumi për të mbajtur takime, në takime të Kuvendit që ishin me pika të mbetura me muaj të tërë. Në fakt Kuvendi nuk po arrinte të kryente mandatin e vet. Kishim dy parti opozitare, Vetëvendosja që kërkonte rilegjitimim të Qeverisë, zgjedhje, e PDJ-ja që jo gjithmonë ishte për zgjedhje të reja, por nuk votonte çdo gjë që sillte para Qeveria”, ka thënë Krasniqi në Interaktiv të KTV-së. “E pamë Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, rishikimin e buxhetit, u desh në fakt me muaj të tërë që të votohej dhe në një kohë kur ishim në pandemi. Duket se bashkëpunimi pozitë – opozitë, në Kuvend, edhe te çështjet esenciale, si marrëveshjet ndërkombëtare e rishikimi i buxhetit, nuk po arrihet të ndërtohet. Mendësia politike në Kosovë nuk është pjekur në atë pikë që të ketë bashkëpunim konstruktiv mes partive”.