Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar sot diskutimin e tretë online “Viti i Ri, Dialogu i Vjetër?”, ku morën pjesë Agron Bajrami, Miodrag Miliçeviq dhe Bodo Webber, si njohës të dialogut dhe çështjeve të ndërlidhura me të, si dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile.
Kryeredaktori i mediave në Grupin KOHA, Agron Bajrami, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrëzimin e qeverisë ka qenë i vonuar dhe është dashur të adresohet qysh në muajin gusht, në mënyrë që vendi të mos hyjë në ndërlikime të mëtutjeshme, edhe në procesin e dialogut, njoftoi KDI-ja të martën.
Për Marrëveshjen e Uashingtonit, Bajrami deklaroi që e njëjta mbetet e paqartë sa i përket zbatimit, si dhe nuk ishte gjithëpërfshirëse, finale dhe për njohje të ndërsjellë.
“Presioni apo ngutja nga administrata Trump dhe emisarit të tij Grenell që të arrihet një marrëveshje e shpejtë para zgjedhjeve në Amerikë, ka çuar në rënien e Qeverisë Kurti dhe në zgjedhjen e Qeverisë Hoti, në mënyra që edhe atëherë kanë qenë të kontestuara. Tani, kemi rrëzimin e Qeverisë Hoti pasi që është konsumuar nevoja për ta pasur atë për një marrëveshje që u arrit më 4 shtator në Uashington”, shtoi ai.
Miodrag Miliçeviq, drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aktiv foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit serb në kuadër të dialogut, si dhe faktit që interesat e serbëve lokalë nuk janë përfaqësuar në kuadër të këtij procesi. Theksoi që pozicionet dhe qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve dhe qëndrimi i Lajçakut se palët duhet ta definojnë normalizimin, paraqesin një element të rëndësishëm të këtij procesi. Tutje, Miliçeviq rekomandoi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në Prishtinë dhe Beograd, në vend se në Bruksel.
Bodo Webber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), duke folur për periudhën rreth 3 vite e gjysmë që nga fillimi i procesit të dialogut përfundimtar, deklaroi që ky proces ka qenë i privatizuar nga akterë në të dy vendet si dhe tek faktori ndërkombëtar, duke rrëshqitur edhe në diskutime për shkëmbimin e territoreve.
Gjithashtu, potencoi se për shkak të mungesës së koherencës në politikat dhe qëndrimet e ndjekura nga akterët ndërkombëtarë, nuk janë arritur rezultatet e dëshiruara. Webber e vlerësoi rolin e emisarit të BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, si jo konstruktiv.
Të pranishmit u pajtuan që arritja e një marrëveshje në interval të shkurtër kohor, sidomos për çështje muajsh, është pothuajse e pamundur. Faktor që do të luajë rol në këtë drejtim, u tha që është padyshim pandemia, meqë qeveritë do të prioretizojnë luftën ndaj pandemisë.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, jo domosdoshmërish do të zgjidhë të gjitha çështjet e lidhura me subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, u tha tutje nga pjesëmarrësit.
“Por, u theksua që funksionimi i brendshëm i Kosovës duhet të mbetet prioritet, duke marrë parasysh rastin e Bosnjës – që ka subjektivitet të jashtëm të konsoliduar, por nuk ka funksionalitet të brendshëm”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë. Ky diskutim u zhvillua në respektim të plotë të masave të institucioneve relevante për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.