Arbëri

Njerëz të lidhur me politikën pritet të konfirmohen për anëtarë të rinj të Akademisë

Lidhjet politike kanë triumfuar mbi të arriturat shkencore të disa kandidatëve që kanë mësyrë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Pesë nga shtatë kandidatët që të martën pritet të bëhen anëtarë korrespodentë të Akademisë, kanë defiluar nëpër parti ose në kabinete politikanësh. E, do të ngelen jashtë shkencëtarë prej më të cituarve që ka Kosova.

Në ASHAK prej katër ditësh nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë proces përzgjedhjeje, e në shoqërinë civile kanë dhënë kritika të forta për këtë institucion.

“Akademia e Shkencave po shihet më shumë si një institucion për rehatimin e akraballëkut politikë, të kolegëve politikë, sesa një institucion i cili me të vërtetë kishte mujtë me e dhënë atë për të cilën e ka mandatin”, ka thënë Kushtrim Koliqi, Drejtor ekzekutiv i INTEGRA-s. “Është me të ardhë keq se si politika ende e sheh Akademinë e Shkencave si vend për me i punësu njerëzit, që edhe pas pensionit të tyre me marrë disa rroga goxha të majme”.

Para Seksionit të Shkencave të Natyrës ishin 17 kandidatë, por është votuar për Imer Rusinovcin e Naser Kabashin.

Rusinovci ka qenë asambleist i AAK-së në Prishtinë, ndërsa së fundmi ka aderuar në PDK.

Kabashi, ndërkaq, vite më parë ka qenë kandidat i LDK-së për deputet.

Kur kontributi shkencor matet me citime të punimeve të publikuara, rezulton se ata janë shumë prapa dy prej kundërkandidatëve që i kishin. Rusinovci është cituar gjithsej 234 herë e Kabashi vetëm 65 herë.

Bajram Berisha që është lënë jashtë, ka 4,252 citime, e Behxhet Mustafa 970.

Të dy këta, të kontaktuar nga KOHA, e kanë mohuar se lidhjet politike kanë bërë që të favorizohen në këtë proces zgjedhjeje në Akademi.

“Ka gati dy vite që nuk jam aktiv në politikë”, ka thënë Rusinovci.

“Unë aktivitetin tim politik nuk e kam aktiv. Nuk kam asnjë qasje në asnjë organ. Asnjë koncept lidhur me politikën nuk e kam me asnjë parti politike”, ka thënë në anën tjetër Kabashi.

Në Seksionin e Shkencave Shoqërore duhej të zgjidheshin dy anëtarë me korrespodencë, por ka kaluar vetëm një kandidat – Besnik Krasniqi, që në zgjedhjet e 2017-s ka qenë kandidat i LDK-së për deputet.

“S’ka këtu najëfarë politizimi. Veç i sheh të arriturat shkencore dhe vet mund ta vlerësosh”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka të arritura të larta shkencore dhe është i cituar 1,179 herë.

Në Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë kanë kaluar Shkumbin Munishi dhe Nysret Krasniqi. Munishi ka qenë këshilltar i Bedri Hamzës në një kohë kur e ka drejtuar Bankën Qendrore e pastaj edhe kur e ka marrë postin e ministrit të Financave. Krasniqi, ndërkaq, ka qenë këshilltar i Kujtim Shalës gjatë kohës kur ky e ka drejtuar Ministrinë e Kulturës.

Munishi nuk ka folur në lidhje me procesin, e me Krasniqin KOHA nuk ka mundur të vejë kontakt.

Lidhje të këtilla politike nuk janë gjetur vetëm tek dy kandidate, e që janë votuar në Seksionin e Arteve: Zake Prelvukaj dhe Rreze Kryeziu Breznica.

Kushtrim Koliqi nga INTEGRA, konsideron se Akademia do të duhej institucioni i fundit që do të duhej politizuar.

“Fatkeqësisht, në Kosovë thuaja se nuk ka mbetur asnjë institucion pa u politizu, por është shumë më e dhimbshme kur një institucion si Akademia e Shkencave politizohet”, ka thënë Koliqi. “Dhe, kuptohet, vëmendja, fokusi dhe shoku është shumë më i madh kur një institucion si Akademia e Shkencave bjen në këtë derexhe, ku njerëzit totalisht pameritorë hyjnë brenda”.

Një raport i organizatës INTEGRA-s tregon se nga 22 anëtarë të rregullt të Akademisë, 12 kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike, kurse nga 16 anëtarët korrespodentë, 7 kanë qenë të angazhuar nëpër parti. Pjesa më e madhe e tyre ishin në LDK.