Prishtinë, 20 dhjetor - Nga afro 25 mijë testime për COVID-19 që u kryen në shkolla prej shtatorit deri në dhjetor, 4 mijë e 55 rezultuan pozitive. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, më së shumti të infektuar pati mësimdhënës, ku nga 15.795 të testuar, 2.301 dolën pozitivë.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe u testuan 6.090 nxënës, ku 1.470 prej tyre ishin te infektuar me COVID-19, ndërkaq numri i personelit tjetër të shkollave që kanë rezultuar pozitivë është 284 nga 2.688 të testuar.
MASH-i në një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se edhe në gjysmëvjetorin e dytë, që nis më 18 janar, pritet që mësimi të zhvillohet sipas 3 skenarëve të paraparë.
“Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASH-i, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollit të reagimit ndaj COVID-19, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera edhe për gjysmëvjetorin e dytë”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
KOHA ka pyetur në Qeveri nëse gjatë kësaj periudhe mund të ndërrohet vendimi për mbajtjen e mësimit, por zëdhënësja, Antigona Baxhaku, ka sugjeruar që për të t’i drejtohemi MASH-it.
E njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se pandemia tashmë ka ndikuar që të ketë rënie të cilësisë në arsim.
Edhe
Mbi 6,000 nxënës të prekur me COVID-19 në tërë Kosovën
“Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, fëmijët kanë humbje të konsiderueshme mësimore. Ata që e kanë ndjekur mësimin online vlerësohet që kanë humbur 25 për qind të vitit shkollor, ata që nuk e kanë ndjekur mendohet që i kanë humbur 40 për qind, ndërsa sa i përket kësaj periudhe prej shtatorit e këndej mendoj që janë bërë përpjekjet maksimale që fëmijët të jenë në shkollë dhe mësimi online të jetë opsion i fundit”, ka thënë ai.
Raporti i Bankës Botërore, i publikuar këtë vit, konstatoi se mbyllja e shkollave pritet të çojë në humbje të konsiderueshme të të nxënit dhe shtimin e analfabetizmit funksional.
I njëjti raport thekson se meqë mësimdhënia në distancë nuk është aq efektive sa mësimdhënia në shkollë, kjo pritet të reflektohet edhe në PISA-n e ardhshme, ku supozohet të ketë rënie të nivelit në atë të vitit 2015.
Gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor është përmbyllur të premten. Shkurtimi i tij u bë me vendim të Qeverisë dhe si rrjedhojë pushimi dimëror u zgjat për një muaj. Viti shkollor kishte nisur më 14 shtator me dy javë vonesë.
-
373 arsimtarë, nxënës dhe personel nëpër shkolla, të infektuar me koronavirus
-
Për shkak të rasteve me COVID-19, SBASHK-u i bën thirrje IKSHPK-së ta vlerësojë situatën në shkolla
-
Mbyllet edhe një shkollë në Prishtinë, dalin 20 raste pozitive me COVID-19
-
23 raste pozitive me COVID-19 në shkollat e Prishtinës, Ministria s’tregon numrin në nivel vendi