Arbëri

Mbi 1 mijë nxënës i kanë lënë shkollat për vitin shkollor 2019/20

Fidan Muja nga Lipjani, tash 18-vjeçar, e ka braktisur mësimin që në klasën e parë.

Ai thotë se këtë e ka bërë meqë familja e tij për shkak të kushteve të vështira ekonomike nuk kishte mundësi ta dërgonte në shkollë.

Dhe prej atëherë del të kërkojë lëmoshë, siç thotë, për të siguruar mjete për të blerë ushqim për gjashtë anëtarët e tjerë të familjes.

“Klasën e parë e kom ndalë, sepse nuk kam pasur për të ngrënë as për të pirë dhe asgjë tjetër. Pastaj kush kujdeset për familjen time. Unë e shikoj edhe televizorin ose një film që të mësojë më shumë”, thotë Muja.

Arsimi fillor është i obligueshëm për të gjithë nxënësit, por vazhdon të mbetet i lartë numri i atyre që braktisin mësimin.

Për vitin 2019-2020, sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, në total mësimin e kanë braktisur 1 mijë e 89 nxënës, prej tyre 833 djem dhe 256 vajza, dhe kryesisht për arsye familjare që lidhen me kushtet e vështira ekonomike.

Në të dhënat e Ministrisë së Arsimit vetëm në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2019-2020 mbi 120 nxënës e kanë braktisur shkollën, përfshirë këtu edhe ata të komuniteteve pakicë.

Braktisja e mësimit vetëm në gjysmëvjetorin e dytë

31 nxënës të klasës së parë
8 nxënës të klasës së dytë

14 nxënës të klasës së tretë

4 nxënës të klasës së katërt

9 nxënës të klasës së pestë
16 nxënës të klasës së gjashtë

16 nxënës të klasës së shtatë

11 nxënës të klasës së tetë

13 nxënës të klasës së nëntë
 

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve arsimore, ka thënë se duhet të punohet në identifikimin e shkaktarëve që çojnë në braktisje të mësimit.


“Ministria e Arsimit duhet të intervenojë me politika strategjike por edhe ato afatshkurte në mënyrë që reagimi të jetë më i shpejtë që në asnjë moment asnjë fëmijë të mos jetë jashtë sistemit mësimor”, thotë Qehaja.

Ministria e Arsimit thotë se falë hapave që i ka ndërmarrë dhe ngritjen e sistemit të paralajmërimit të hershëm janë rritur premisat për reagim dhe parandalim të braktisjes, dhe krahasuar me vitin paraprak ka rënie të braktisjes së mësimit.

Në vitin shkollor 2018-19 ka pasur shifra më ta larta të braktisjes. Janë regjistruar 1 mijë e 703 nxënës që e kanë braktisur mësimin.

Por për sociologun Artan Krasniqi, sado që numri është më i vogël në krahasim me vitin e kaluar, prapë ky numër mbetet i lartë dhe kjo duhet të shërbejë si alarm për shoqërinë.

“Pasojat duhet me i pa në 2 rrafshe, në rrafshin individual dhe në atë shoqëror. Në rrafshin individual ata që braktisin shkollimin viktima kushtimisht janë gratë. Kjo shoqërohet me një pasiguri sociale sepse mbesin pa një profesion dhe pavarësi ekonomike, ndërsa në rrafshin social”, deklaron Krasniqi.

Peja, Vushtrria, Gjakova, Malisheva, Prizreni dhe Prishtina, sipas Ministrisë së Arsimit, janë komunat me më së shumti nxënës që e kanë braktisur shkollimin.