Arbëri

Ministri Selimi gjobitet për shkelje të masave anti-Covid

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka njoftuar se është dënuar nga Policia e Kosovës për shkelje të masave anti-Covid.

Përmes Facebook-ut, Selimi ka shkruar se ka pranuar ta paguajë dënimin për shkak të sjelljes profesionale të zyrtarëve policorë.

“Është i vërtetë lajmi që sot jam dënuar për thyerje të masave qeveritare për pandeminë. Edhe pse sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë, kam pranuar ta paguaj dënimin, për shkak të sjelljes profesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Gentianit dhe ekipit të tij. Kosova ka një polici të respektuar dhe dënimi i shqiptuar ndaj meje dëshmon se në shtetin tonë askush nuk është mbi ligjin”, ka shkruar Selimi.